Veseli: Dikush do të jap llogari për videon e publikuar, do ti shkoj deri në fund rastit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh i pari i PDK-së, Kadri Veseli ka mbajtur një konferencë për media lidhur me publikimin e fundit të disa video-incizimeve ku përmendet emri i tij nga persona të përfshirë në krim të organizuar si fajde dhe mashtrim.

Veseli tha se është i sigurt se është keqpërdorur emri i tij dhe se kur të dal e vërteta dikush duhet të jap llogari penale e institucionale, pavarësisht a janë pjesë e policisë, sistemit të drejtësisë e politikes.

Madje ai pyeti se si është e mundur që për këtë rast të krimit të organizuar ka pasur fakte që nga viti 2013 e të ndërmerren veprime me gjashtë vite vonesë.

“Kush është ai, ajo ose ata persona që e kanë mbuluar këtë krim të organizuar për më shumë se gjashtë vjet, kujt dhe për çfarë llogarie i është dashur që t’i mundësohet mbulimi ose mos dënimi i veprave penale”, tha ai.

Tutje Veseli pyeti se pse këto video-incizime kanë qenë në sirtarë të policisë apo të prokurorisë për kaq shumë vjet dhe nuk janë trajtuar në kohë dhe me veprime të duhura?.

“Njerëzit që shihen në video unë nuk i njoh dhe nuk kam asnjë lidhje me ta. Video-ja shpërfaqë krimin në mënyrë të hapur, të qartë për secilin qytetar e lërë më organet e drejtësisë. Kemi të bëjmë me dy krime, me krimin e bërë dhe krimin e fshehur. Gjashtë vjet të mbahet krimi i fshehur dhe të dënohet është krim i madh”, shtoi ai.