Vërshojnë kritikat për paga, Hekuran Murati flet për “Superpunën”

Dje për herë të parë kanë dalë pagat sipas Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, i cili hyri në fuqi muajin e kaluar.

Por, pas ekzekutimit të pagave – shumë sektorë janë ankuar se nuk i kanë marrë pagat me rritje.

Për këtë ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme e cila ka njoftuar se shtesat për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars.

“Pra, me përfundimin e mbledhjes së të dhënave nga ana e komisioneve dhe finalizimit të listave me zyrtarët që do të përfitojnë këto shtesa, të njëjtët do të marrin bashkë me pagën dhe shtesën e muajit mars edhe shtesën përkatëse për muajin shkurt. Ftojmë të gjitha institucionet që të dërgojnë të dhënat e kërkuara nga komisionet përkatëse pa vonesë, në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më pare”, thuhet në komunikatën e tyre, shkruan Gazeta Insajderi.

Pavarësisht kritikave të shumta, ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk ka thënë asgjë mbi këtë çështje.

Ai është marrë me Superpunën, duke treguar statistikat e fundit.

“Mbi 3 mijë punëkërkues të verifikuar, mbi 2 mijë punëdhënës që ofrojnë punë, mbi 1 mijë marrëdhënie pune/punësime. Si dhe janë mbi 1,500 pozita të lira pune për të rinjtë 18-25 vjeç”, ka shkruar Murati në profilin e tij në Facebook.