Vërshimet shkaktojnë dëme në Rahovec, Latifi kërkon ndihmën e Qeverisë

Reshjet e shiut që kanë nisur mbrëmë, kanë shkaktuar vërshime të mëdha në disa komuna të Kosovës, por deri më tani më të dëmtuarat janë ajo e Gjakovës dhe Rahovecit. Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi ka bërë të ditur për KosovaPress se vërshimet në këtë komunë janë mjaft të mëdha dhe se janë në vlerësim të raportit të dëmeve.

Fshati Fortesë dhe Ratkoc konsiderohen si më të prekurat nga këto vërshime. Banorët kërkojnë zgjerimin e shtratit të lumit, i cili po vërshon sa herë që bie shi dhe po u shkakton dëme materiale.

Banori Adnan Kadiri thotë se nuk është hera parë që ballafaqohen më këtë problem. Ai thotë se vërshimet u kanë shkaktuar dëme materiale në amvisëri, por dhe në shpezë.

“Dëmet janë të papërshkrueshme. Sa herë që bie shi, ne vazhdimisht kemi probleme me ujërat….Në bodrum dhe makinat e barit, fleksa, nuk patëm as edhe një minutë kohë sepse erdhi lumi dhe shkatërroi çdo send. Kemi pasur disa pula sa munda disa i shpëtova, 20-30 sosh i barti uji, ku edhe mua ishte duke më bartur uji, edhe traktori është mbushur më ujë”, tha ai.

Kadiri kërkon nga Komuna e Rahovecit që ta rregullojë lumin, në mënyrë që në të ardhmen të mos përsëriten vërshime të tilla.

“Kërkojmë që të rregullohet lumi më mirë, e kanë rregulluar, por është shumë ngushtë dhe nuk ka fuqi ta bartë gjithë këtë sasi uji dhe po del prej shtratit dhe kemi vazhdimisht këto probleme”, tha ai.

Qerim Kadiri, banor tjetër, tha se edhe këtë herë ja kaluan disi, porse ka kërkuar nga organet kompetente të marrin masa urgjente.

“Këtë herë ka qenë rrëmbimi i shpejtë në kohë të shkurt, por kemi dalë burra, gra e fëmijë duke i përballu e luftuar ato vërshime, por shyqyr nuk zgjati shumë dhe këtë herë ia kaluam. Duhet marrë masa sidomos brenda fshatit për të bërë një zgjidhje më të mirë që të zgjerohet shtrati i lumit. Është mirë brenda fshatit dhe poshtë saj përgjithësi ka qenë më të vërtetë një kiamet që për një kohë të shkurt vërshime shumë të mëdha”, tha ai.

Fatmir Popaj, banor i fshatit Fortesë tha se që nga mesnata janë duke hequr ujin u ka hyrë në shtëpi.

“Dëmi është bërë shumë i madh, ka hyrë uji në shtëpi edhe para një viti e gjysmë…Jemi katastrofë. Më ka hyrë uji në shtëpi, të gjithë gjërat i ka prishur. Gruaja, vajza po pastrojnë të gjitha gjërat prej gjysmës së natën jemi duke pastruar në shtëpi… Kërkojmë të hapet lumi, sepse lumi po fryhet dhe po vjen këndej sepse është ngushtuar si të hapet nuk do të kemi problem me ujë”, tha ai.

Ndërkaq kryetari Latifi ka thënë se janë duke bërë përpjekje për ta rregulluar shtratin e lumit.

“Po bëjmë përpjekje të rregullohet shtrati, edhe pse në një mënyrë është i rregulluar, por megjithatë prurjet e mëdha të reshjeve atmosferike dhe prurjet nga tri drejtime, Sapniq … dhe Rahovec kanë shkaktuar vështirësi serioze”, tha ai.

Latifi tha se vërshimet kanë shkaktuar dëme edhe në qendrën e mjekësisë familjare.

“Dëmet janë të mëdha në Fortesë, kryesisht në amvisëri, bujqësi, infrastrukturë, madje edhe në objekte publike siç është qendra e mjekësore familje…Më të rrezikuarat që janë goditur më së shumti janë Fortesa dhe Ratkoci me dëmet më të mëdha”, tha ai.

Ai tha se operatorët, komuna, zjarrfikësit, policia janë në terren që nga orët e hershme të mëngjesit. Po ashtu ka shtuar se kanë kërkuar ndihmë emergjente edhe nga Qeveria për t’i dalë në ndihmë qytetareve të kësaj Komune.

“Ne nga pasmesnata jemi në terren gjatë gjithë kohës. Njerëzit janë të dëshpëruar dhe kanë vërejtjet e veta më të drejtë. Prurjet e shiut janë të mëdha dhe është problem për ta përballuar…Kemi kërkuar ndihmë emergjente nga Qeveria për t’i kompensuar dëmet, të cilat janë evidente edhe në amvisëri, infrastrukturë publike, por edhe në bujqësi”, tha Latifi.

Ai ka bërë të ditur se kanë kërkuar ndihmë edhe nga FSK-ja, me kërkesë që t’i zgjerojnë urat, pasi sipas tij po u shkaktojnë telashe.

“Kemi pasur kontakt edhe me Forcat e Sigurisë së Kosovës, në qoftë se munden t’i hapin kanalet nën hekurudhë. Nuk kemi drejtë t’i prekim dhe të intervenojmë për shkak se është pronë e hekurudhës së Republikës së Kosovës dhe në qoftë se mundtë gjejnë ndonjë zgjidhje. T’i zgjerojnë urat sepse po na shkaktojnë telashe, sidomos kur ka reshje shumë”, tha ai.

Kryetari Latifi thotë se Qeveria e Kosovës duhet t’i ndihmojë komunat e përfshira nga vërshimet për kompensim të dëmeve.

“Qeveria duhet t’i hapë sytë, të kthjellet dhe t’iu ndihmojë komunave, në këtë rast komunave të cilat janë të goditura, siç janë Rahoveci dhe Gjakova…duhet ta ndihmojë edhe me kompensim të dëmeve pas dërgimit të raporteve të vlerësimit por edhe në intervenime emergjente për të hapur kanale”, tha ai.