Vërshimet në Skenderaj, nisin donacionet e para për rindërtimin e zonave të prekura

Është hapur fondi emergjent për vërshimet në Skenderaj.

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ka njoftuar sot se është hapur xhirollogaria bankare ku të gjithë qytetarët mund të kontribuojnë për të ndihmuar në rindërtimin e zonave të përmbytura.

“Pas zyrtarizimit të procedurave për Fondin Emergjent për Vërshimet, me krijimin e xhirollogarisë bankare, u bëj thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë, përfaqësuesve të bizneseve të mëdha e të mesme, bamirsve dhe të gjithë të tjerëve që kanë një mundësi të vogël, të na ndihmoni në rindërtimin e zonave të shkatërruara, rimëkëmbjen e familjeve të prekura nga kjo fatkeqësi dhe kthimin e jetës normale”, ka shkruar Nura.

Për krijimin e këtij fondi ka njoftuar edhe Kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku.

Ai ka bërë thirrje që të kontribuohet në këtë fond përmes të cilit do të ndihmohen familjet që kanë pësuar nga kjo fatkeqësi natyrore.

“Të dashur njerëz të vullnetit të mirë. Me qëllim të përballimit të situatës së rëndë që është krijuar pas vërshimeve në komunën tonë, lus të gjithë qytetarët brenda dhe jashtë vendit, bizneset, shoqatat bamirëse, fondacionet e gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, që të kontribuojnë në këtë fond përmes të cilit do të ndihmohen familjet që kanë pësuar nga kjo fatkeqësi natyrore dhe do të bëhet rindërtimi i zonave të shkatërruara të Skenderajt. Të dhënat për fondin i gjeni të bashkangjitura! Skenderaj 💔”, ka shkruar Lushtaku.

Ndërsa, biznesmeni i njohur në Kosovë dhe Gjermani me prejardhje nga Drenica, Hektor Beqiri, ka njoftuar se do të japë kontributin e tij, duke ndarë një pjesë të mjeteve të kursyera si donacion për rindërtimin e Skenderajt.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Drenicës ia kemi me borxh mbështetjen.

“Drenicës ia kemi me borxh mbështetjen. Ishte shkrumb, e ndërtuam. Tani e ka vërshuar uji, por sërish do ta rindërtojmë. I prekur thellë nga kjo gjendje e krijuar, unë do ta japë kontributin tim duke ndarë një pjesë të mjeteve të kursyera si donacion për rindërtimin e Skenderajt. Po ashtu, apeloj tek të gjithë miqtë e mi, tek të gjithë njerëzit vullnetmirë, që të kontribuojnë në këtë fond zyrtar për t’i ndihmuar familjet që kanë pësuar, duke u solidarizuar me vatrën e rezistencës shekullore, e cila gjithnjë sakrifikoi më së shumti për Kosovën dhe shqiptarët. Me dashurinë më të madhe për Drenicën e heronjve dhe respektin më të madh për drenicasit, zemërgjerësinë e tyre dhe trimërinë e pashoq, ne, duke u solidarizuar me njeri-tjetrin, së bashku do t’ia dalim. Kontribuoni edhe ju për rindërtimin e zonave të shkatërruara në Komunën e Skenderajt!”, ka shkruar Beqiri. 

Fadil NuraHektor Beqiri