Vërshimet në Shqipëri, Meta iu bën apel institucioneve të angazhohen për sigurinë e jetës

Për situatën problematike të krijuar si pasojë e motit të ligë në Shqipëri ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta.

Në një postim në rrjetet sociale, ai i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të angazhohen për sigurinë e jetës dhe të pronës në zonat problematike.

Ai ka theksuar se autoritetet duhet të kishin njoftuar banorët në zonat me rrezik më të lartë

“Problematik është fakti se ashtu si në të kaluarën, autoritetet e Mbrojtjes Civile dhe Prefekturat nuk e kanë njoftuar më herët popullatën në zonat me risk të lartë, lidhur me parashikimin e hershëm sipas IGJEUM, që prej ditësh ka njoftuar autoritetet shtetërore në lidhje me parashikimin e motit. Duke u solidarizuar me banorët e prekur nga pasojat e motit të keq, u bëj thirrje të gjithë institucioneve përgjegjëse shtetërore të angazhohen maksimalisht për sigurinë e jetës dhe të pronës”.

Sipas tij problematike situata paraqitet në qarkun e Fierit, Vlorës dhe në veri, veri-lindje dhe jug-lindje të Shqipërisë.

“Jam duke ndjekur me vëmendje të veçantë situatën kritike të krijuar, si pasojë e motit të keq dhe masat që po merren për tejkalimin e saj në disa zona të përmbytura dhe të bllokura nga reshjet e borës. Jam informuar se situata paraqitet më problematike në Qarkut e Fierit, sidomos në njësinë administrative Levan, fshatin Ferras, ku janë evakuuar 15 familje dhe qindra hektarë tokë bujqësore, ndodhen nën ujë.

“Përmbytje të shumta ka edhe në Qarkun e Vlorës, sidomos në zonën e Mifolit ku sipërfaqja e përmbytur e tokës bujqësore i kalon mbi 1200 hektarë, ndërkohë që shumë fshatra në Lumin e Vlorës rezultojnë të izoluara. Gjithashtu në veri, veri-lindje dhe jug-lindje të vendit shumë zona rezultojnë sot të bllokuara nga reshjet e shumta të borës”./ A2 CNN