Veriu po qeveriset nga strukturat paralele, situata po i konvenon Beogradit
Zhvillimet e fundit kanë bërë që situata politike të tensionohet mes Kosovës e Serbisë.
Qeveria e Kosovës, ditë më parë morri vendim për vendosje të taksës 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia e Bosnja, shkruan Ballkani.info.
E ky vendim si duket i ka ‘acaruar’ institucionet në Beograd. Përpos reagimeve nga ndërkombëtaret, edhe krerët e shtetit serb u viktimizuan pas vendimit për taksën, duke thënë se jeta e serbëve në Kosovë do të përkeqësohet.
Të njejtën çasje e patën edhe popullata serbe në Kosovë, e udhëhequr nga politikanë serbë që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës, por që preferojnë t’i referohen si “Kosovë e Metohija”.
Protestat paqësore të qytetarëve serbë filluan në Mitrovicën e Veriut si përgjigje kundër taksës. E menjëherë pas protestës, katër kryetarë komunash me shumicë serbe dhanë dorëheqje nga posti i tyre.
Këto dorëheqje, nga Qeveria është thënë se nuk janë pranuar ende pasi në dokumentet e dorëheqjes, kryetarët e komunave me shumicë serbe, iu kanë referuar Kosovës si “Kosova e Metohija”.
Por, nga ana tjetër ligji parasheh që dorëheqjet nga posti janë vendimtare dhe të pakthyeshme ndërsa shteti obligohet të shpallë zgjedhje të parakohshme.
Analisti i njohur i çështjeve politike, Imer Mushkolaj në një prononcim për Ballkani.info, situatën e krijuar në veri e ka cilësuar si shumë serioze. Ai ka theksuar se gjendja mund të përkeqësohet nëse institucionet nuk reagojnë, pasi që sipas tij për momentin veriu ka mbetur nën qeverisjen e strukturave paralele.
“Qeveria duhet t’i qaset seriozisht situatës në veri. Tashmë ajo pjesë ka mbetur nën qeverisjen e strukturave paralele. Nëse institucionet nuk reagojnë, atëherë gjendja do të përkeqësohet” ka thënë Mushkolaj.
Më tutje Mushkolaj ka shtuar se situata e krijuar në veri i konvenon më së shumti Beogradit, i cili sipas tij do ta shfrytëzojë këtë situatë për të arritur qëllimet e veta.
“Natyrisht, situata në veri më së shumti i konvenon Beogradit, që momentumin aktual mund ta shfrytëzojë për forcimin e pozicionit në dialog me Kosovën. Nëse nuk i arrin qëllimet e veta, atëherë Beogradi është i interesuar që veriu të mbetet një konflikt i ngrirë” ka përfunduar Mushkolaj për Ballkani.info.
Kujtojmë se situatën e krijuar pas taksës 100%, serbët e kishin shfrytëzuar për tu viktimizuar, pasi që sipas tyre nuk do të kenë bukë për të ngrënë. /Ballkani.info/