Veri

Veriu i përgjakur, vrasjet e tmerrshme që ndodhën ndër vite

Vrasje të zyrtarëve policorë, politikanëve e të tjerëve kanë ndodhur ndër vite në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi e Zubin Potoku përbëjnë komunat e kësaj zone.

Serbët lokalë i kundërshtojnë institucionet e Kosovës dhe e mohojnë shtetësinë e saj.

Zona prej rreth një mijë kilometrash katrorë kufizohet me Serbinë me një kufi të gjatë tokësor, për të cilin autoritetet e Kosovës thonë se është vështirë të kontrollohet.

Në këtë pjesë ka pasur shpesh incidente me të vdekur e të lënduar, për shkak të përplasjeve të popullatës lokale serbe me autoritetet e Kosovës, që duan ta shtrijnë kontrollin e shtetit atje.

Prishtina zyrtare fajëson shtetin serb se po i dirigjon drejtpërsëdrejti incidentet në zonën veriore të Kosovës. E, Beogradi e mohon këtë.

Më poshtë rikujtojmë disa prej incidenteve të përgjakshme në veri që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë.

Shtator 2023

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit më 24 shtator 2023.

Sipas Policisë së Kosovës, në orët e hershme të datës 24 shtator, dy kamionë pa targa ishin vendosur në urën në hyrje të fshatit Banjskë, duke e bllokuar lëvizjen.

Njësitë policore, ku ishte edhe Afrim Bunjaku, u qëlluan me armë zjarri, pasi arritën në vendin e ngjarjes. Bunjaku nuk u mbijetoi plagëve të marra.

Incidenti ku u vra ai, shënoi fillimin e një përleshjeje të armatosur mes Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur në Zveçan.

Bilanci i 24 shtatorit: Katër të vrarë e disa të plagosur

Pas vrasjes së Afrim Bunjakut, sipas Policisë, rreth 30 sulmues të armatosur ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.

Nga shkëmbimet e zjarrit u vranë edhe tre sulmues dhe u lënduan edhe tre pjesëtarë të tjerë të Policisë së Kosovës.

Shtator 2013

Audrius Senavicius, polic i Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), u vra në veri të Kosovës më 19 shtator 2013.

Senavicius u vra në një pritë, në rajonin e Zveçanit, ku u sulmuan dy vetura të EULEX-it, teksa po ktheheshin nga pika kufitare me Serbinë në Jarinjë për në jug të Mitrovicës. Në këtë sulm u lënduan edhe dy kolegë të tij.

Korrik 2011

Enver Zymberi, pjesëtar i Policisë së Kosovës, u vra në veri të Kosovës më 25 korrik 2011.

Mars 2008

Igor Kinal, polic i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), u vra në veri të Kosovës më 17 mars 2008.

Disa javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në përleshjet mes serbëve të Kosovës dhe forcave ndërkombëtare policore, mbeti i vrarë polici ukrainas.

Vrasje të tjera që tronditën veriun

Oliver Ivanoviq, politikan serb nga veriu i Kosovës

Oliver Ivanoviq, politikan serb i Kosovës, u vra më 16 janar 2018 në Mitrovicë të Veriut.

Ai u vra me gjashtë plumba në shpinë, ndërsa askush nuk është dënuar ende për vrasjen e tij.

Mjeku boshnjak, Mesud Gjekoviq, u vra dhe 11 persona të tjerë të përkatësisë etnike serbe u lënduan në një shpërthim në Mitrovicë të Veriut, më 2 korrik të vitit 2010.

Shpërthimi ndodhi derisa mbi një mijë serbë po protestonin kundër hapjes së Zyrës për Regjistrim Civil në Lagjen e Boshnjakëve.

Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar derisa përpjekjet për shtensionimin e saj nuk kanë qenë të suksesshme as përmes dialogut Kosovë-Serbi.

Dy vendet janë duke zhvilluar negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.

Rundi i fundit i bisedimeve ndërmjet tyre, më 14 shtator, përfundoi pa ndonjë marrëveshje.