Verat më të nxehta në Evropë që “mbahen mend” gjatë dekadave të fundit

Temperaturat e larta në Spanjë dhe Francë kohëve të fundit kanë zgjuar vëmendjen e valës së të nxehtit në Evropë, raporton Al Jazeera.

Megjithatë në këto dekadat e fundit, kontinenti jo rrallëherë ishte përballur me vera të nxehta, të cilat kishin marrë jetë njerëzish, e kishin shkaktuar zjarre në disa vende.

Lista e mëposhtme tregon vitet e dekadave të fundit kur Evropa “vlonte” nga temperaturat gjatë muajve të verës.

2021: Më i nxehti ndonjëherë

Në vitin e kaluar ishte vera më e nxehtë e Evropës në histori, sipas shërbimit evropian të monitorimit të ndryshimeve klimatike, Copernicus.

Midis fundit të korrikut dhe fillimit të gushtit 2021, Greqia u përball me atë që kryeministri Kyriakos Mitsotakis e quajti valën më të keqe të të nxehtit të vendit në më shumë se 30 vjet, pasi temperaturat arrinin 45 gradë Celsius në disa rajone.

Në Spanjë, temperaturat arritën në 47 gradë Celsius në pjesë të jugut, sipas agjencisë kombëtare të motit AEMET.

Nxehtësia dhe thatësira ndezën zjarre të mëdha përgjatë Mesdheut, nga Turqia dhe Greqia në Itali dhe Spanjë.

Një fëmijë luan në një shatërvan në Londër të premten, 17 qershor 2022

Viti 2019, kur u “përvëlua” Evropa Veriore

Vera e vitit 2019 solli dy valë të të nxehtit, në fund të qershorit dhe në mes të korrikut, të cilat lanë rreth 2,500 njerëz të vdekur, sipas Qendrës për Kërkime mbi Epidemiologjinë e Fatkeqësive në Universitetin Louvain të Belgjikës.

Në Francë, temperaturat arritën një rekord prej 46 gradë Celsius më 28 qershor në qytetin jugor Verargues. Mijëra shkolla u mbyllën.

Më 24 dhe 25 korrik, Evropa veriore u zhyt në nxehtësi rekorde. Temperaturat prej 42.6 Celsius u regjistruan në Lingen të Gjermaninë veriperëndimore, 41.8 Celsius në Begijnendijk në Belgjikën veriore dhe 38.7 Celsius në qytetin lindor anglez të Kembrixhit.

2018: Thatësira “thanë” Danubin

Në gjysmën e dytë të muajit korrik dhe në fillim të gushtit 2018, pati temperatura shumë të larta në pjesën më të madhe të Evropës dhe lumenj që u thanë për shkak të thatësirës.

Danubi ra në nivelin më të ulët në 100 vjet në disa zona.

Portugalia dhe Spanja pësuan zjarre jashtëzakonisht shkatërruese në pyje.

2017: Muaj të lagështisë së ngrohtë

Pjesa më e madhe e Evropës, por veçanërisht ajo e jugut, u pjek nga fundi i qershorit deri në gusht.

Spanja shënoi një rekord prej 47.3 Celsius më 13 korrik në qytetin jugor të Montoro.

Thatësira e vazhdueshme shkaktoi zjarre në pyje në Portugali.

Njerëzit grumbullohen në plazhin La Concha në qytetin baske të San Sebastian, në veri të Spanjës më 3 gusht 2018

2015: Valët e njëpasnjëshme të të nxehtit 

Ishte valë pas një vale e të nxehtit gjatë gjithë verës së vitit 2015, e cila la rreth 1,700 njerëz të vdekur në Francë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, rrugët u shkrinë dhe trenat u vonuan në korrikun më të nxehtë të regjistruar, me temperatura që arritën në 36.7 gradë Celsius në aeroportin Heathrow.

2007: Djegia e pyjeve në Greqi 

Evropa qendrore dhe jugore u thanë nga thatësira gjatë gjithë qershorit dhe korrikut, duke provokuar një valë zjarresh pyjore në Itali, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Në Hungari, 500 njerëz vdiqën si pasojë e të nxehtit. Në Greqi, zjarret më të këqija në gjysmë shekulli – disa besohet se ishin rezultat i zjarrvënieve, por të tjerat produkt i nxehtësisë dhe thatësirës – konsumuan katër për qind të pyjeve të vendit.

Zjarrfikësit operojnë në vendin e një zjarri në Navalmoral de la Sierra pranë Avila, Spanjë qendrore, më 16 gusht 2021

2003: 70,000 të vdekur

Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Spanja dhe Portugalia përjetuan të gjitha nxehtësi të jashtëzakonshme në gjysmën e parë të gushtit, derisa Portugalia u përball me një rekord prej 47.3C në Amareleja në jug, përcjell Telegrafi..

Një studim i Bashkimit Evropian i 16 vendeve e vendos numrin e vdekjeve në të gjithë bllokun gjatë asaj vale të nxehtit deri në 70 mijë, derisa Franca dhe Italia secila kishte raportuar midis 15 mijë deri në 20 mijë viktima, sipas raporteve të ndryshme që atëherë.

Në Francë, shumica e viktimave ishin të moshuar të cilët ishin pa përkujdesje në një fazë që traumatizoi vendin dhe çoi në zbatimin e sistemeve të reja për të mbrojtur njerëzit e ndjeshëm gjatë valëve të të nxehtit.