Veprimi prekës i nënës nga Ferizaj që humbi djalin nga droga

Arjeta Musliu është nëna që mishëron përpjekjen e dashurinë prindërore për ruajtjen e jetës të të birit nga përdorimi i narkotikëve.

Kjo fatkeqësi familjare, ka shtyrë, këtë të fundit të hapë të parën qendër të këtij lloji në Ferizaj me mbështetjen e drejtpërdrejt financiare të kryetarit Agim Aliu, Qendrën e Këshillimit “Këshillimi” që sot hapi dyert për të gjithë prindërit fatkeq dhe rastet e përdoruesve të narkotikëve.

Kryetari i Ferizajt tha se edukimi, lufta kundër narkotikëve dhe bashkëveprimi në dobi të familjeve të shëndetshme ishte dhe mbetet preokupimi i qeverisjes së tij.

Madje, ky vizion ka qenë ndër pikat më të forta e më të rëndësishme të platformës fituese politike që solli administratën Aliu në krye të Komunës së Ferizajt.

Nëna e Riadit, i cili tragjikisht humbi jetën pak kohë më parë, Arjeta Musliu, psikologe me profesion i dha vetes misionin për ngritjen e një qendre të tillë, me qëllim parandalimin e këtyre dukurive që po kërcënojnë çdo ditë shoqërinë tonë, veçanërisht të rinjtë.

Ndryshe, hapja e kësaj këshillimoreje mëton të jetë pikë reference duke ofruar shërbime profesionale, për t’iu dalë në ndihmë të gjithë nevojtarëve, familjeve dhe individëve të hasur në vështirësi nga këto dukuri negative.