Ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, nuk është i njohur për veprime si simulime apo tentime për ta mashtruar gjyqtarin.

Në ndeshjen e javës së kaluar, kundër Rayo Vallecanos, ai i kërkoi gjyqtarit të mos konsultohet me VAR-in.

Edhe pse skuadra katalonase mund ta ketë fituar një penallti, Messi vendosi të mos e kërkojë këtë gjë pasi që besonte se ndërhyrja e kundërshtarit nuk kishte qenë mjaftueshëm e ashpër, edhe pse e kishte rrëzuar në tokë.

Kjo gjë u bë e ditur përmes El Dia Despues në Movistar Plus, të cilët kanë kamera në të gjitha stadiumet e La Ligës dhe i kapin disa momente të tilla, të cilat nuk shihen askund tjetër në Evropë.

Messi ishte rrëzuar brenda zonës së penalltisë dhe disa lojtarë të Barcelonës e kishin rrethuar gjyqtarin Maro Melero Lopez për t’ia kërkuar një penallti. Mirëpo, sapo u ngrit në këmbë dhe e vërejti që penalltia nuk ishte akorduar, Messi i kërkoi gjyqtarit të mos e shikonte VAR-in.

“Mos e shiko atë përsëri me VAR. Ejani, vazhdojmë”, kishte thënë Messi.