Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka deklaruar se gjatë diskutimit në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi – ku raportuan Bordi dhe drejtori i ShSKUK-së – se ka ngritur disa çështje të rëndësishme.
Këto tema sipas tij, ndërlidhen me përkeqësimin e gjendjes në shëndetësi dhe ShSKUK, si dhe shumë shkelje të evidentuara nga Auditori Gjeneral.
‘Sipas raportit të zyrës kombëtare të auditimit për ShSKUK-n për vitin 2019 ishte raport pa vërejtje, ndërsa në dy vitet e fundit janë evidentuar miliona euro keqperdorime dhe keqmenaxhim. Sipas zyrës kombëtare të auditimit: Në dy vite e fundit 2021-2022 në vlerë 14.7 milionë euro, mungon raporti i pranimit te mallit nga menaxherët e kontratave. Në dy vite e fundit 2021-2022 në vlerë 4.1 milionë euro urdhër-blerjet ishin proceduar pas pranimit të mallit”, shkroi ai në Facebook.
Ai përmendi po ashtu se listat e pritjes për operacione dhe referime jashtë vendit janë rritur krahasuar me vitet e kaluara. Më tej, Haxhiu tregoi se mungesa e furnizimit me barna është rritur.
“Mos licencimi i Klinikave dhe Spitaleve publike mbetët problematik në sistemin shëndetësor. Shqetësuese mbetët dukuria e ikjes së mjekëve dhe profesionistëve tjerë shëndetësor nga institucionet publike dhe jashtë vendit. Kërkesa e infermierëve për rritje të shumës së kujdestarisë 100%, pagesa për rrezikshmëri dhe punë gjatë vikendeve.
Shperndarja e testit kandidatëve në konkursin për infermierë, është shkelje ligjore dhe vepër penale dhe e denueshme për shkak të cenimit të barazisë në konkurim”.
Ndër të tjera, Haxhiu u shpreh se çështje tjetër që ka shkaktuar pakënaqësi në Fakultetin e Mjekësisë është Ligji i Pagave, “pasi që profesorët specialist të mjekësisë pagën primare e kanë në shëndetësi dhe sekondare në arsim dhe kjo rrezikon mosakreditim për programet mjekësore në kuadër të UP”.
“Vendosja në dy pozita kyqe në SHSKUK, kryesuesin e Bordit dhe Drejtor Ekzekutiv i njerëzve të afërt të ministrit Vitia tregon se qëllimi i kësaj Qeverie është kapja e institucioneve për interesa të grupeve të caktuara të interesit, dhe jo zgjidhja e problemeve në sektorin e shëndetësisë”, përfundoi ai.







