Vendos Kryesia: Hoti raporton në Kuvend para nisjes për Uashington

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se do të ftojnë në raportim kryeministrin Avdullah Hoti lidhur me takimin që do të mbahet në SHBA për dialogun Kosovë-Serbi.

Ajo në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se me kërkesë të LVV-së do të ftohet kryeministri në raportim.

“Me vendim unanim të anëtarëve unë do ti drejtohem kryeministrit që të raportojë Kuvendit para se të niset për në SHBA. Duke pasur parasysh rolin mbikëqyrës Kuvendi ndaj qeverisë, do ta ftojmë kryeministrin që të vijë në Kuvend lidhur me qëndrimet që do t’i mbajë para se të shkojë atje”, tha Osmani.

Ndërsa, bëri të ditur se të martën do të mbahen dy seanca plenare, njëra ka të bëjë me marrëveshjet ndërkombëtare, tjetra për zgjedhjen e disa komisioneve ad-hoc dhe interpelanca e kërkuar nga një grup deputetësh për kryeministrin, lidhur me reciprocitetin.