Vendimin e Qeverisë në detyrë për përjashtimin e “Telekomit” nga Prokurimi Publik, Hoti e quan kundërkushtetues

Ish zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë në detyrë për vendimin për përjashtimin e Telekomit nga Prokurimi Publik.

Dje Qeveria në detyrë e Kosovës, ka aprovuar një propozim të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik për shërbimet telekomunikuese që ofron “Telekomi i Kosovës”, si shërbime me rëndësi të veçantë shtetërore.

Ky vendim, sipas Qeverisë, është marrë në harmoni me nenin 3.1 dhe 9.4 të Ligjit Nr04/L-042 për Prokurimin Publik, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 04/L-237, Ligjin 05/L-068 dhe 05/L-092.

Sipas Hotit, ky vendim është kundërkushtetues.

“Vendim i Qeverisë në detyrë, që i përjashton shërbimet e Telekomit nga procedurat e prokurimit publik me arsyetimin se janë shërbime të rëndësisë së veçantë shtetërore, është kundërkushtetues pasi e kufizon konkurrencën e lirë. Ligji i prokurimit mund të përjashtohet përveç kur blihen pajisje ushtarake jo standarde, mjete speciale për AKI, Policie, FSK dhe raste të kësaj natyre. Në fakt, edhe në ato raste, përjashtohen vetëm procedurat e hapura të prokurimit, dhe zbatohen procedurat e mbyllura dhe negocuese për të siguruar vlerën për paratë që paguhen. Shërbimet telefonike, të televizionit kabllovik dhe internetit që ofron Telekomi nuk përbëjnë shërbim të veçantë shtetëror, por shërbime publike që secili nga ne e kemi në familjet tona”, shkruan Hoti në Facebook, përcjell Koha.

Edhe kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, e ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës ka krijuar monopol në shërbime telekomunikuese.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 02.04.2020 nr. 05/21 me të cilën përjashton Ligjin e Prokurimit Publik për shërbimet telekomunikuese që ofron Telekomi i Kosovës, si shërbime me rëndësi të veçanta shtetërore, mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës përkatësisht neni 119 pika 3 citoj “Veprimet që kufizojnë konkurrencën e lirë përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese, ose praktikave që e kufizojnë konkurrencën, janë të ndaluara, me përjashtim kur këto lejohen në mënyrë eksplicite me ligj”, shkruan Prestreshi.

Sipas Prestreshit, me këtë vendim Qeveria e Kosovës i ka përjashtuar në tërësi ofertat që mund t’i ofrojnë ndërmarrjet për shërbime telekomunikuese, duke i përjashtuar procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik, dhe duke e bërë monopol natyror, “Telekomin e Kosovës”.