Vendimi që mund ta “rrëzojë” presidenten, Berisha: Ky nuk është qëllimi ynë

Ish-kandidati për deputet nga Partia Liberale e Egjiptiane, Veton Berisha, ka paraqitur një ankesë në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se i janë shkelur të drejtat gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Lidhur me pretendimet e fundit se vendimi nga Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë Vjosa Osmanin nga posti i presidentes, Berisha ka thënë se nuk ka qenë qëllimi i tyre dhe nuk e presin një vendim të tillë.

“Nuk është ai qëllimi, nuk ka qenë edhe nuk do të jetë, edhe nuk e pres”, ka deklaruar ai në RTV Dukagjini.

Duke folur për ankesën që është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, Berisha ka thënë se atë që pretendojnë e ka vërtetuar edhe Avokati i Popullit.

“Ankesën e kemi dorëzuar ne si palë, me ndihmën e IKD-së ndërsa Avokati i Popullit e ka dhënë një opinion të tij, i cili ka qenë një konfirmim i asaj që e kemi pretenduar, domethënë ankesën e kemi dorëzuar unë dhe Albert Kinolli bashkë”, ka thënë tutje ai.

Sipas tij, nëse ankesa e dërguar në Gjykatën Kushtetuese nuk merret parasysh, Lista Serbe mund të ketë mundësi të orkestrojë sërish vota dhe nëse ai vendim i Gjykatës Supreme nuk korrigjohet, do të kishte mundësi të ketë deri në 15 deputetë në përbërje të saj.

“Për mua ka rëndësi me u mbrojt Kosova nga ky sulm politik që ka ndodhur gjatë zgjedhjeve të kaluara. Për shkak se përsëritja e atij procesi është shkatërrim për Kosovën”, ka deklaruar ai.