Pasi vendimi i Qeverisë së Kosovës për heqjen e afisheve për targat e Serbisë gjatë vozitjes në Kosovë është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, tashmë ka hyrë edhe zyrtarisht në fuqi, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
“Ata që vozisin në Kosovë me targa të Republikës së Serbisë nuk janë më të obliguar të vendosin letër ngjitëse në stemë dhe flamur. Vendimi i Qeverisë hyn në fuqi”, ka konfirmuar zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani, transmeton Ballkani.info.
Pas më shumë se dy vitesh, ngjitësit në targa – po shkojnë në histori.
Që nga tetori i vitit 2021 stikerat janë përdorur nga ata vozitës që kanë vozitur vetura me targa RKS nëpër Serbi, si dhe ata që kanë vozitur me targa serbe në territorin e Republikës së Kosovës. Së pari, vendimin për anulimin e kësaj mase e ka marrë Qeveria e Serbisë më 25 dhjetor të vitit të kaluar, dhjetë ditë pas zëvendësimit të targave të fundit me targa RKS. Vendimi i tyre ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti.







