Vendimi për derivatet, ky është çmimi maksimal i lejuar për shumicë dhe pakicë

Qeveria e Kosovës ka miratuar një udhëzim administrativ me të cilin ka thënë se do të përcaktohet çmimi maksimal i lejuar për derivatet. Siç ka mësuar Demokracia, fitimi i lejuar do të jetë dy centë për litër të produktit të shitur me shumicë, ndërsa 12 centë për litër të produktit të shitur me pakicë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar udhëzimin Projekt-udhëzimin Administrativ për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtritshme dhe Masat e tjera Mbrojtëse.

Ky udhëzim parasheh rregullimin e çmimeve dhe masave të tjera mbrojtëse për të mbrojtur konsumatorin, për të mbrojtur konkurrencën si dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg ose për qëllime të tjera të interesit shtetëror.

Në udhëzimin e miratuar nga Qeveria, thuhet se do të vendoset rregullimi i çmimeve duke caktuar maksimumin e marzhës tregtare,  dy centë për litër të produktit të shitur me shumicë, ndërsa 12 centë për litër të produktit të shitur me pakicë.

Siç është sqaruar marzha tregtare do të thotë ndryshimi mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave kanë punuar për këtë projekt-udhëzim.

Ajo theksoi se kjo po bëhet për shkak të mbrojtjes së konsmuatorit dhe për të rregulluar konkurrencën, raporton Demokracia.com.

“Udhëzimi administrativ bëhet me qëllim që të mbrohet konsumatori dhe konkurrenca për të mënjanuar çrregullimet në treg. Në bazë të të dhënave që posedon MINT-i, të konfirmuara me evidencë nga bizneset nga Dogana dhe ATK-ja, ka mospërshtatje të çmimeve vendore krahasuar me lëvizjet në tregun botëror. Mospërshtatja e çmimeve është një ndër shkaqet kur Qeveria mund të përcaktojë çmimin maksimal të lejuar, apo të kufizimit të marzhës tregtare. Do të jenë të bazuara në evidencat e Doganës dhe ATK-së. Me këtë udhëzim MINT-i propozon përcaktimin e menjëhershëm të çmimit maksimal të lejuar për derivatet”, ka thënë ajo.

Sipas Hajdarit, ka mospërputhje të çmimeve në Kosovë me lëvizjet në tregjet botërore. Për këtë ka thënë se do të caktohet menjëherë çmimi maksimal i lejuar.

Aktualisht një litër naftë në vend kushton rreth 1.9 euro

Nafta e benzina kanë prekur çmime rekorde javëve të fundit. Në vazhdimësi opozita ka kërkuar heqjen e akcizës dhe uljen e TVSH-së, ndërsa Qeveria ka paralajmëruar masa “së shpejti”.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani në një deklarim për Demokracia.com ka treguar se si mund të furnizohen qytetarët me derivate më të lira.

Ai ka thënë se këtë e ka në dorë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Nëse Albin Kurti dëshiron që t’i ndihmoj qytetarët e Kosovës, dhe që ata të blejnë derivate më të lira, atëherë le ta heq akcizën për naftë dhe benzinë. Këtë vendim mund ta marr qeveria. Neve nuk është që na konvenon, por këtë Kurti mund ta bëjë për qytetarët”, ka treguar Berjani.

Kryetari i Naftëtarëve ka thënë se kërcënimi për mbyllja të pikave shitëse është bërë për të treguar se vendimi për ulje të çmimit deri në 12 cent i falimenton kompanitë.

Por, Berjani beson që këtë vendim nuk do ta marr qeveria dhe se nuk do të ketë nevojë për protesta.

“ Nuk do të vijë puna deri të protesta, sepse besoj dhe shpresoj që kryeministri do t’i marr parasysh kërkesat tona. Vendimi është i dëmshëm dhe do t’i falimentoj shumë pika të karburantit. Shoqata kërkon që vetëm tregu të jetë i lirë”, ka thënë Berjani.

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës i kishte dërguar letër Qeverisë së Kosovës me anë të së cilës kërkojnë që marzha të caktohet duke u bazuar në nivelet e çmimeve aktuale. Pra, shitja me shumicë 3 për qind dhe ajo me pakicë 12 për qind.

Sipas tyre, nëse këto kërkesa nuk merren parasysh nga ana e Qeverisë, atëherë janë të detyruar të ndërmarrin masa, përfshirë edhe mbylljen e pikave të derivateve në tërë vendin ./Demokracia.com/.