Vendimi me të cilin Rrahim Pacolli emërohej konsull nderi i Shqipërisë në Kosovë (DOKUMENT)

Biznesmeni Rrahim Pacolli është shkarkuar nga pozita e konsullit të nderit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë.

Pacolli është shkarkuar nga ministrin i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj.

Ballkani.info merr vesh se Rrahim Pacolli në këtë pozitë ishte emëruar vitin e kaluar, saktësisht më 25 shtator të vitit 2018.

Pacoll ishte emëruar Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë për rajonin e Prizrenit.

Ballkani.info ka siguruar një Notë Verbale të Republikës së Shqipërisë përmes së cilës kërkohet pëlqim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila udhëhiqet nga Behgjet Pacolli, për hapjen e Konsullatës së Nderit në Komunën e Prizrenit dhe emërimin si Konsull Nderi të djalit të vëllait të tij për këtë rajon.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë i shpreh komplimentet e saj Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës – Drejtorisë së Çështjeve Konsullore – dhe ka nderin t’a informojë atë se Republika e Shqipërisë ka vendosur të hapë një Konsullatë Nderi në Komunën e Prizrenit dhe se Konsulli i Nderit në këtë rajon është emëruar z. Rrahim Pacolli”, shkruan në këtë Notë Verbale.

Çfarë ka përfituar Rrahim Pacolli si konsull nderi i Shqipërisë në Republikën e Kosovës:

Të gjitha të drejtat e konsullit janë të rregulluara me konventën e Vjenës për shërbime konsullore, sipas së cilës, konsullatat dhe konsujt kanë të drejtë për pasaporta diplomatike dhe tabela të veturave diplomatike.

Konsujt e nderit emërohen nga Ministri i Jashtëm i vendit përkatës dhe përkundër që nuk kanë të drejta dhe detyrime sikurse se ata të karrierës, sipas konventës se Vjenës, ata gëzojnë të drejta të shumta.

Konsujt e nderit mund të lirohen nga taksat në qarkullim, nga dogana në rastin e importit të prodhimeve të caktuara dhe gjatë kalimit të kufirit me veturë me tabela diplomatike, konsujt e nderit janë të liruar edhe nga kontrolli i valixheve dhe gëzojnë të drejtën e parkimit pa pagesë.

Kompetencat e konsullit të nderit përcaktohen me vendim të veçantë nga ana e Ministrit të Punëve të Jashtme.

Në “Curriculum Vitae”-n e Rrahim Pacollit, te edukimi i tij shkruan se ai ka studiuar në Kolegjin Tempulli për Trafik dhe Transport Rrugor. /Ballkani.info/