Pak minuta para se Inspektoriati i Komunës së Prizrenit të vazhdojë rrënimet në një pjesë të objektit “Abi Çarshia”, në Prizren me arsyetimin se kompania nuk ka leje ndërtimore, të njëjtit kanë pranuar një aktvendim të Gjykatës Themelore në Prizren, e cila ka vendosur masë të përkohshme ndaj rrënimit të këtij objekti.

Drejtori i Inspektoratit, Islam Thaqi, tha se sot në orën 12:00, kanë dalur të ekzekutojnë vendimin për rrënimin e kësaj pjese të objektit të “Abi Çarshia”, mirëpo 15 minuta më herët kanë pranuar vendimin e Gjykatës Themelore, për çka tha se do e respektojnë.

Megjithatë, sipas tij, 32 përqind e “Abi Çarshia”, është e kundërligjshme, pasi nuk ka leje ndërtimore.

Ai tha se presin një vendim të ligjshëm, mirëpo sipas tij shumë institucione janë të përfshira në këtë vendim.

Thaqi tha se kanë qenë të penguar nga pjesëtarët e Policisë për të ekzekutuar vendimin. Njëjtë thotë se ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme.

Sipas tij, janë katër kallëzime penale për vetë investitorin, për çka tha se është ngritur vetëm një aktakuzë.

Jetmire Vrenezi, udhëheqëse e sektorit të ndërtimit në drejtorinë e Inspektoriatit, tha se sot kanë pranuar dy përgjigje nga Gjykata Themelore e Prizrenit, të cilat sipas saj, janë në kundërshtim me njëra – tjetrën.

Ajo i ka bërë thirrje Prokurorisë që të merr masat ndaj investitorit, i cili sipas saj, është një ndër ata që po ndërton kundërligjshëm në komunën e Prizrenit.

Avokati i kompanisë, Betim Kadolli i ka quajtur të ngutshme dhe të kundërligjshme veprimet e inspektoriatit.

Kadolli tha se kanë inicuar procedurat ligjore për sigurimin e provave lidhur me dëmet që janë shkaktuar deri më tani. Për çka sipas tij, dëmi është jashtëzakonisht i madh.

Ne lidhje me fotografitë, ku është parë drejtori i “Abi Çarshia”, me drejtorin e Policisë së Prizrenit, duke pirë kafe, me ç’rast edhe pretendohet të ketë ndërhyrje në këtë proces, avokati Engjëll Rexhepi tha se kjo fotografi është shkrepur shumë më herët.

Para kohës kur pritej të vazhdojnë rrënimet, investitori ‘Abi Çarshia’, kishte vendosur kamionë për të bllokuar hyrjen e makinerive të komunës.

loading…