“Vendimi i Qeverisë për mbylljen e lojërave të fatit lë pa punë 4 deri 5 mijë punëtorë”

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, për ndalimin e lojërave të fatit, sipas kryetarit të shoqatës, Istref Veliqit, lë pa punë 4 deri 5 mijë punëtorë.

Ai theksoi se të gjitha këta persona kanë punuar në biznese të licencuara.

“Janë 4 deri 5 mijë punëtorë. Jam në një pozitë shumë të pa lakmueshme, gjatë ditës kam mesazhe të ndryshme prej njerëzve që bën diçka, kanë kredia, kemi punuar. Unë personalisht kam mbi 150 punëtorë që punojnë mbi 10 vite, ku do të shkojnë ata? Ne do të ankohemi në të gjitha gjykatat e mundshme, vendore dhe ndërkombëtare”, ka thënë Veliqi në Rubikon të KTV-së.

Veliqi tha se nëse shikohen statistikat e dhjetë viteve të fundit, më së paku aksidente kanë ndodhur te lojërat e fati.

Ai madje përmendi edhe rastin e fundit në Suharekë.

Sipas tij, në këtë situatë do të duhej të punohet më shumë në sigurinë e shtetit meqë një punëtor i komunitetit të biznesit është rrezikuar në këtë rast nga një punonjës i shtetit.