Mero Baze

Vendimi i Gjykatës, një shans për të bashkuar PD

Nga Mero Baze

Vendimi i Gjykatës ë Apelit duke rikthyer çështjen për rigjykim në Shkallë të Parë, rikthen gjykimin normal për krizën e legjitimiteti të PD. Në fakt, gjykatat duhet të shprehen për kriza të tilla kur  ato ndodhin, dhe jo dy vjet pasi ndodhin, pasi për dy vjet kemi politikë të faktit të kryer nga dhunuesit dhe krijohet imazhi i rremë i shumicës dhe pakicës.

Kjo krizë duhej të zgjidhej urgjent në dhjetor të vitit 2021 dhe atëherë kishte kuptim vendimi. Gjykata nuk veproi atëherë, por lejoi palët të rriheshin një herë me qysqi dhe vare, e më pas të përlesheshin në zgjedhje për t’i dhënë Berishës në Shkallë të Parë të drejtë një gjyqtar ushtar i familjes së tij.

Në distancën kohore të krijuar, vendimi më i drejtë është pikërisht ky rikthimi për rigjykim i çështjes dhe injorimi i politikave të fakti të kryer.

Vendimi është një shans për Partinë Demokratike për t’u bashkuar dhe transformuar në një parti demokratike.

Është hera e parë që një gjykatë në Shqipëri ndërhyn për të vendosur legjitimitetin e një partie. Sa herë që ka pasur kriza autoritarizmi në parti, gjykatat kanë qenë gjithnjë me kryetarin.

Kjo është shenja e parë që legjitimiteti i partive mund të mbrohet dhe në gjykatë.

Thelbi i kësaj lufte përçarëse në PD është Sali Berisha dhe vendimi i tij për të uzurpuar PD për interesa personale. Ai u soll si një monark i vërtetë, ku sapo kryetari i PD mori një vendim të justifikuar ndaj tij, i shpalli luftë dhe i  uzurpoi partinë me forcë.

Tani që gjykata e riktheu çështjen për gjykim, vetë PD nuk duhet ta lërë më veten në dorë të gjykatës. Për të tejkaluar këtë krizë, mjafton të shmangësh problemin. Dhe problemi është Sali Berisha.

Edhe në zgjedhjet e 14 majit, shumë nga kandidatët e Berishës mund të regjistrohen në emër të Lulzim Bashës, nëse ata nuk kanë më të mirë në zonat e tyre, përveç atyre që janë ushtarë të Berishës.

Basha duhet t’ua lërë derën hapur demokratëve të marrosur pas Berishës, që të rikthehen në PD dhe të vazhdojnë betejën aty sipas rregullave.

Një listë e përzier për 14 majin, është shenja e parë nëse Berisha ka vullnet të bashkohet PD, apo të shkërmoqet dhe më tej, duke mbajtur një çetë revolucionarësh pas vetes.

Mitingu i sotëm provoi se atij nuk i shkon më në miting as “Foltorja”.

Vendimi i gjykatës është në leksion demokracie brenda partisë. Nëse sot Berisha pranon vendimin dhe ikën, përçarja në PD mbaron.

Nëse Basha do të ikte dhe nuk do te rezistonte, atëherë demokracia do mbaronte.

Tani jemi në kushtet që vendimi është një shans për të bashkuar PD. Natyrisht jo rreth Berishës.