Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të dyshuarit Andi Pajaziti, i cili dyshohet për vrasjen e ndodhur më 4 gusht 2023 në lokalin “Bon Vivant”.
Në vendimin e Gjykatës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se masa paraburgimi të pandehurit i vazhdohet deri më 3 korrik 2024.
“Aprovohet kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda,… datë 25/04/2024, për vazhdimin e masës së paraburgimit, kundër të pandehurit Andi Pajazitit, i vazhdohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj ashtu që sipas këtij aktvendimi kjo masë, do ti llogaritet prej datës 04/05/2024 deri me 03/07/2024” thuhet në vendimi e gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, me urdhër të prokurorit të shtetit, më 31 gusht 2023, ishte ndaluar N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit.
Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, të dyshuar për vrasjen e 4 gushtit në “Bon Vivant”, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.
Më 24 tetor 2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë pësuar lëndime trupore në incidentin në “Bon Vivant” më 4 gush, që të paraqiten në Policinë e Kosovës apo në Prokurori, me qëllim të zbardhjes së rastit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.
Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti dyshohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve.
Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave./BetimipërDrejtësi







