Avonet

Vendimi i Apelit kundër Komunës së Ferizajt, reagon Gashi i AVONET

Drejtori ekzekutiv i rrjetit të OJQ-ve, AVONET, Kenan Gashi ka njoftuar se ka pranuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, e cila i hodhi poshtë si të pa bazuara ankesat e Komunës së Ferizajt dhe Hit Petroll Sh.p.k për dhënien e lejes ndërtimore.

Gashi tha se ky aktvendim është konfirmim i fitores së qytetarëve të Ferizajt.

Ky Aktvendim është konfirmim i fitores, që nuk është vetëm e jona, por e gjithë komunitetit të Ferizajt. Të cilët kanë vuajtur për shkeljet e rregullave dhe ndërtime të paligjshme, duke ju shkaktuar dëm të pariparueshëm, banorëve të Ferizajt në përgjithësi dhe banorëve të rruges “Gëzim Sahiti” në veçanti“, ka shkruar ai.

Ai kërkoi nga kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu të anulojë lejen ndërtimore për kompaninë në fjalë.

Anulimi i lejes ndërtimore do dëshmonte që Kryetari i Komunës së Ferizajt është i përkushtuar në ruajtjen dhe mbrojtjen e interesit publik të qytetarëve. Kjo do shërbente edhe si një mësim i mirë për nxerrjen e akteve të duhura të planifikimit hapësinor ashtu siç parashihet me dispozitat e ligjeve pozitive në fushën e ndërtimit në Republikën e Kosovës.“, tha Gashi.