Vendimi final për vizat sfidues shkaku i migrimit

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, vlerëson se vendimi final për liberalizimin e vizave në Këshillin e Ministrave të BE-së është sfidues për shkak të debateve të migrimit dhe se nuk ka të bëjë me mos unifikimin e skenës politike kosovare për dialogun me Serbinë në Bruksel.

Hoxha ka deklaruar në një intervistë për Ekonomia Online se hezitimet e Francës, Gjermanisë dhe Holandës nuk kanë të bëjnë me Kosovën, por me gjendjen aktuale politike në vendet e tyre, për debatin e ashpër rreth migrimit si dhe për shkak të rritjes së madhe të partive të djathta ekstreme.

“Si në Francë, si në Gjermani është duke u zhvilluar një debat shumë i ashpër për çështjet e migrimit, në Francë janë aspektet e sigurisë, pra çështjet e rritjes së migrimit kanë shkaktuar sulme terroriste, sulme të ndryshme të cilat qytetari i Francës nuk po i dëshiron dhe po e vërejmë një debat të ashpër në Francë në lidhje me këtë”, ka thënë Hoxha.

“Pra, është tërësisht çështje e brendshme e tyre, ndërsa në Gjermani nuk ka pozicion, nuk ka as hezitim as jo hezitim, por nuk ka pozicion në lidhje me çështjen e vizave për shkak se janë në një fazë zgjedhore”, ka shtuar ajo.

“Më tepër është debati i brendshëm që po zhvillohet në këto shtet, nuk po dëshirojnë që të votojnë asgjë që do t’u jepte argument partive të djathta që të rriten në elektorat në anën tjetër”, është shprehur tutje Hoxha.

Sipas Hoxhës janë shumë të rëndësishme statistikat e publikuara së fundmi nga “EUROSTAT”-i për personat që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, Kosova nuk bën pjesë as vendet e 30-ta.

“Kjo gjithashtu është një argument shtesë për neve që t’u tregojmë këtyre vendeve se Kosova nuk do të përbëjë rrezik, Kosova nuk do ta keqpërdorë liberalizimin e vizave, e posaçërisht duke ditur faktin se nga ky hulumtim 83% e qytetarëve e dinë se çka do të thotë liberalizimi, e dinë se është 90 ditë qëndrim brenda 6 muajve, nuk mundesh të punosh, studiosh, jetosh në këto vende, pra është vetëm vizitë turistike pa viza”, ka vlerësuar ministrja Hoxha.

Sipas saj, kjo tregon edhe përqindjen e madhe të kthimit, do të thotë qytetarët e Kosovës që në një mënyrë apo tjetër kanë arritur të shkojnë dhe kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, 96% e tyre janë kthyer.

Këshilli i Ministrave mbledhjet e fundit për këtë vit do t’i mbajë në tetor dhe dhjetor, por sipas Hoxhës duke i parë rrethanat që po mbretërojnë në Gjermani dhe Francë, nuk pritet që vendimi të merret në tetor, por në mbledhjen e dhjetorit.

“Çka kam bërë thirrje unë dhe kam kërkuar edhe nga ministrja e Punëve të Jashtme e Austrisë edhe nga ministri për çështje evropiane që e patëm në vizitë në Kosovë, që gjatë Presidencës austriake të përfundojë vendimmarrja”, ka bërë të ditur Hoxha.

“Asgjë nuk është në dorën tonë, është e gjitha në duar e shteteve anëtare të BE-së, mirëpo ne kemi kërkuar që të përshpejtohet dhe të përfundojë procesi i vendimmarrjes deri në fund të këtij viti”, ka vlerësuar ajo.