Vendimet që u morën në mbledhjen e qeverisë

Kryeministri Albin Kurti, ka publikuar 24 vendimet që u ndërmorën në mbledhjen e 84-të të qeverisë.

Për mbrojtje të konsumatorit dhe të konkurrencës, tha se është miratuar udhëzimi administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe të karburanteve të ripërtërishme.

Kurti tha se nafta do të ketë çmim tavan që varet nga mesatarja e furnizimit.

Rialokuam 3 milionë euro për 25 projekte në komuna.

Në kuadër të reformës së drejtësisë, miratuam koncept-dokumentin për themelimin e Fondit të Konfiskimit.

Miratuam edhe dhënien në shfrytëzim të pasurive të konfiskuara për nevoja të institucioneve.

Për të avancuar e mbrojtur të drejtat e njeriut, nominuam përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës në Këshillin Konsultativ për Komunitete.

Për parandalimin e trafikimit me njerëz, miratuam Strategjinë Kombëtare kundër Trafikimit me Njerëz 2022-2026 dhe Planin e Veprimit 2022-2024.

I hapëm udhë emërimit të Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, me shfuqizimin e vendimit paraprak.

Miratuam hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës dhe Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”, si dhe Planin e Veprimit të Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030.

Për realizim të projekteve infrastrukturore të Ministrisë së Mbrojtjes, miratuam shpronësimin e pronave të paluajtshme brenda Lokacionit të Aeroportit të Gjakovës.

Në frymën e thellimit të miqësisë sonë me partnerët ndërkombëtarë, miratuam Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit mbi Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane.

Për zgjerimin e  bashkëpunimit për zhvillim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, miratuam dy nisma, po ashtu, edhe dy të tjera për Programin IPA”, ka shkruar Kurti në Facebook.