Ish-kryeministri kroat Ivo Sanader, i cili ka vuajtur dënimin me burg në burgun e Lipovicës, është liruar me kusht. Ky informacion u njoftua nga Gjykata e Qarkut të Sisakut, e cila sot mori një vendim për lirimin e tij të parakohshëm nga burgu në një seancë të këshillit.
Si përkujtesë, Sanader ishte dënuar më parë me një dënim të vetëm prej 18 vitesh burg për disa raste korrupsioni dhe shpërdorimi të detyrës, por ai tashmë ka përdorur disa përfitime të parashikuara nga ligji, dhe për këtë arsye është parë jashtë burgut – në Zagreb dhe Kutinë, transmeton Ballkani.info.
Siç ka mësuar Jutarnji list, sot në Gjykatën e Qarkut të Sisakut u mbajt një seancë dëgjimore për të vendosur nëse ish-kryeministri i plotëson kushtet për lirim me kusht, dhe këshilli gjyqësor vlerësoi se ai i plotëson kriteret e nevojshme për lirim të parakohshëm.
Avokati i tij mbrojtës, avokati i njohur Çedo Prodanoviq, njoftoi më parë se do të kërkonte lirimin e Sanader para përfundimit të dënimit të tij të plotë me burg. Megjithatë, pas vendimit të sotëm të gjykatës, ai u tha mediave kroate se askush nuk e informoi për këtë dhe se nuk e dinte që seanca dëgjimore ishte zhvilluar.
“Nuk kam marrë asnjë njoftim për këtë dhe është lajmi i parë për mua”, tha Prodanoviq.
Sanader, i cili tani është 71 vjeç, mund të kishte mbetur pas hekurave deri në moshën 80 vjeç, duke pasur parasysh tre vendimet përfundimtare që u dhanë kundër tij.
Ndër të tjera, ai u dënua me shtatë vjet burg për tërheqjen e parave nga kompanitë publike në të ashtuquajturin fond të zi të HDZ-së, dhe për donacione të paregjistruara që përfunduan në arkën e partisë. Ai u dënua me gjashtë vjet burg shtesë sepse mori 17.5 milionë kuna nga Stjepan Fioliq në këmbim të favoreve në shitjen e ndërtesës Ministrisë së Mbrojtjes.
Një tjetër vendim prej gjashtë vjetësh i referohet rastit në të cilin, sipas vendimit, Sanader, për një ryshfet prej dhjetë milionë eurosh, i mundësoi kompanisë hungareze të naftës MOL të merrte përsipër të drejtat e menaxhimit mbi kompaninë kroate të naftës INA. /Ballkani.info/







