“Vendi në zgjedhje”, PDK zbulon tetë arsyet pse duhet të ndodhë kjo

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka listuar 8 arsye pse duhet shkuar vendi në zgjedhje të reja.Ai si arsye të parë ka përmendur prishjen e raporteve mes aleatëve të Kosovës, sidomos me SHBA-n, dhe me të gjitha konceptet euro-atlantike.

Sipas tij, janë krijuar rrethana regresive dhe të dëmshme për sovranitetin e Kosovës në veri dhe se shumë qytetarë janë duke u larguar nga Kosova diku 120 mijë persona vetëm dy vitet e fundit.

Ai ka përmendur edhe prishjen e marrëdhënieve me Shqipërinë, dhe refuzimin e qeveritarëve për bashkëpunim.

Postimi i tij i plotë:

•Pse duhet shkuar në zgjedhje të reja

•Sepse janë deformuar raportet tona, sidomos me SHBA-n, por edhe me krejt konceptet evro-atlantike mbi shtetndërtimin dhe demokratizimin e vendit tonë dhe mbi lirinë dhe paqen në rajon.

• Sepse janë krijuar rrethana regresive dhe të dëmshme për sovranitetin tonë në veri, në të mirë të një autonomie politike për atë pjesë të Kosovës.

• Sepse janë duke u larguar si asnjëherë më parë nga Kosova shumë qytetarë, sidomos të rinj (120 mijë vetëm dy vitet e fundit).

• Sepse janë deformuar marrëdhëniet me Shqipërinë si kurrë më parë për shkak të bajraktarizmit të papërmbajtur të qeverisjes aktuale me në krye një autokrat populist.

• Sepse ka pakt tinëzar dhe neveritës me korrupsionin në shumë fusha të shoqërisë e sidomos në energjetikë si në rastin Martin Berishaj.

• Sepse ka bindje hamshore prej një majtizmi të eksportuar në mënyrë klandestine se, politika qeveritare sot me patjetër, duhet të jetë mbi ligjin, mbi mediat, mbi shoqërinë civile, bile edhe mbi gjyqësorin, sepse të gjitha janë të deformuara në këto dy dekadat e fundit.

•Sepse qeveritarët sot – nuk dinë por refuzojnë bashkëpunimin, nuk munden por nuk pranojnë ndihmën, nuk kanë përvojë por nuk duan këshilla, e kanë inatin më të madh se logjikën, bindjen politike fe e mbi fe.

•Poshtë populizmi – zgjedhje të reja sa më shpejt për të mirën e Kosovës dhe për të mirën e qytetarëve të saj.