Sistem i ri

Vendet e BE-së me sistem të avancuar për gjurmimin e kriminelëve dhe terroristëve

Parlamenti Evropian ka aprovuar reformën e sistemit informativ të Shengenit (SIS), e cila bën të mundur gjurmimin e shpejtë të kriminelëve dhe personave që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në territorin e Bashkimit Evropian.

Reforma e sistemit informativ të Shengenit përfshinë dhe sinjalizimin e një kategorie të re të qytetarëve ekstrakomunitarë të cilëve ju refuzohet aplikimi i azilit apo që ndodhen në mënyrë të paligjshme në Bashkimin Evropian.

“Së pari, kur një qytetari i refuzohet azili në një shtet të Bashkimin Evropian, ne nuk e dimë nëse ai kthehet në vendin e origjinës apo shkon të kërkojë azil në një shtet tjetër të dytë të Bashkimit Evropian. Së dyti, a janë njoftuar autoritetet e shtetit të dytë, që këtij personi i është refuzuar azili më parë? Reforma e sistemit informativ të Shengenit i zgjidh këto dy probleme. Në momentin që bëhet refuzimi i kërkesës së azilit, kjo do të sinjalizohet në sistem për të gjitha shtetet e tjera. Nga ana tjetër, sigurohet përqendrimi te personat që nuk përmbushin detyrimin për t’u kthyer në vendin e origjinës”, ka thënë eurodeputeti Jeroen Lenaers.

Sistemi i ri SIS pritet të lehtësojë shkëmbimin e informacionit midis shteteve anëtare dhe të rrisë efikasitetin e punës së punonjësve të policisë, rojeve kufitare dhe autoriteteve kombëtare. Ai i jep gjithashtu qasje të zgjeruar Europolit lidhur me gjitha sinjalizimet e shteteve anëtare për akte terroriste, apo aktivitete të lidhura me krimin e organizuar.

“Rregullat e reja të sistemit të informimit të Shengenit do të përforcojnë kontrollin e qytetarëve që hyjnë në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, duke e bërë futjen e të dhënave të tyre në këtë sistem të detyrueshëm. Sistemi i ri i informimit të Shengenit detyron gjithashtu shtetet anëtare të sinjalizojnë kur një person dyshohet për akte terroriste. Europoli do ketë tashmë qasje për të gjitha sinjalizimet e shteteve anëtare apo informacione lidhur me to, duke detyruar shtetet anëtare të sinjalizojnë informacione lidhur me aktet terroriste. Sistemi informativ i Shengenit tashmë është sistemi më i madh, më i përdorur dhe më i zbatueshëm në Bashkimin Evropian. Vetëm vitin e shkuar, SIS është përdorur më shumë se 5 miliardë herë nga autoritetet policore të vendeve Shengenit”, ka thënë Dimitris Avramopoulos, komisioner për Migracionin dhe Punë të Brendshme i Komisionit Evropian.