Vëllezërit shqiptarë heronj në Austri, shpëtojnë të riun që po mbytej

Dy vëllezërit shqiptarë i kanë shpëtuar jetë një afgani pasi ai ishte duke u mbytur në një pishinë.

Ngjarja ndodhi në Wr. Neustadt të Austrisë, ku në sekondën e fundit dy djem shqiptarë u hodhën në pishinën e Aqua Nova dhe shpëtuan 23-vjeçarin.

Sipas Albinfo.ch. vëllezërit janë treguar “heronj” të vërtetë pasi për fatin e mirë të afganit ndërhynë në kohë.

Në ato momente roja i pishinës ishte duke diskutuar me një vizitor, kur afgani u fut në pishinën sportive dhe pas pak minutash rrezikoi të mbytej.

Ideal dhe Leutrim Kuburja të cilët jetojnë në Pottenstein (Baden) u hodhën me vrap dhe e shpëtuan.

Ideal Kuburja ka treguar: “Papritmas vëllai im bërtiti se dikush po mbytej dhe u hodh në ujë pa u menduar. Edhe unë notova deri te ai dhe pastaj e tërhoqëm së bashku me vëllanë tim nga uji. I riu ishte fundosur, kështu që menjëherë e nxjora nga uji dhe e vendosa në pozitë të përshtashme, pastaj ai nxjorri shumë ujë nga goja.”

Një infermiere më pas ju erdhi në ndihmë dhe që të dy u përkujdesën deri në ardhjen e ambulanës.