Gjykata Themelore

“Vëllai yt po donë me të martua me miqësinë’ – Publikohet dosja ku flet për dhunën psikike që Edmondi ia kishte bërë gruas së tij Gjyljetës

Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në Pejë.

Edmond Lajqi ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, Gjyljeta Ukella.

Autori i kësaj vraje të rëndë, Edmon Lajqi, ishte dënuar në shkurt të vitit 2022, për dhunë në familje. Atij i ishte shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 3 muaj, por pas kërkesës së të njëjtit, dënimi i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë 300 euro.

Aktakuza ndaj tij për veprën “Dhuna në familje” ishte ngritur më 5 tetor të vitit 2021, rreth tri javë pasi bashkëshortja e kishte raportuar rastin në Polici.

Gazeta10 ka siguruar një pjesë të aktakuzës ku thuhet se i njëjti për 3-4 vite e kishte ofenduar vazhdimisht me fjalë bashkëshorten.

“Me dt. 22.09.2021, rreth orës 17:40, në Pejë, pikërisht në shtëpinë e tij, ushtron dhunë psiqike ndaj bashkëshortes të tij, të demtuarès Gjyljeta Ukella, ne atë mënyrë që, ditën kritike pas një zënke verbale qe kishin në mes veti, (për shkakë se i pandehuri ka 3-4 vite vazhdimisht e ofendon me fjalë të dëmtuarën ) duke i thënë se “ti je krvè, vëllai yt po don me të nda dhe me të martu me miqasin e tij, gysma e Pejës, janë frajerat e tu, e shumë fjalë të tjera, ku e njëta e lajmëron rastin ne polici“, thuhet në aktakuzë.

Gjykata Themelore e Pejës e kishte dënuar të njëjtin më 1 shkurt të vitit 2022, duke i shqiptuar dënim me burgim me kohëzgjatje prej 3 muajsh. Ky dënim i ishte zëvendësuar me 300 euro gjobë.

“Lidhur me pyetjen e parashtruar nga ana juaj, për të kaluarën kriminale të personit të dyshuar për vrasjen e gruas së tij në Pejë, ju njoftojmë se i njejti me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, ttë datës 01.02.2022, është shpall fajtor për vepër penale dhuna në familje nga neni 248 par.1 të KPRK-së, për të cilën vepër I është shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej njëqind (100) euro, të cilën gjobë është obliguar që t’a paguaj në afat prej tre (3) muaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit si dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) muaj, I cili dënim me kërkesën e të pandehurit I është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej treqind (300) euro, e të cilin dënim është obliguar t’a paguaj jo më vonë se tre (3) muaj pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm. Ndaj aktgjykimit palët nuk kanë ushtruar ankesë, andaj aktgjykimi ka marrë formën e prerë me datë 25.02.2022 dhe i dënuari pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në tërësi e ka paguar dënimin me gjobë. Me respekt, Gjykata Themelore në Pejë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Ndryshe të premten e kaluar edhe një grua është vrarë në Ferizaj. I dyshuar për vrasjen e saj është ish-bashkëshorti i saj.