Familjarë të Liridona Ademajt nuk kanë dyshuar në asnjë moment që dhëndëri i tyre mund të ishte i lidhur me vrasjen e 30-vjeçares.
Vëllai i saj, Leonardi, tregoi për dyshimet që lidhen me vrasjen. Tha se mund të jetë bërë shkaku i përfitimit nga sigurimi jetësor që Liridona ka në Suedi, e përfitues i të cilit pas vdekjes do të ishte bashkëshorti
Familjarë të Liridona Ademajt, 30-vjeçares së vrarë katër ditë më parë, nuk kanë qenë në dijeni asnjëherë që ajo dhe bashkëshorti, Naim Murseli, kishin çfarëdo problemi mes tyre.
Liridona pati 13 vjet martesë me Murselin, i dyshuar se pagoi vrasjen e gruas së tij e me pas e inskenoi si grabitje.
E, Leonardi, vëlla i Liridonës, tha që familjarët nuk kanë dëgjuar për ndonjë problem.
“O jo, nuk ka shancë. Që 13 vite asnjë fjalë e vetme e konflikt mes tyre nuk ka qenë”, i tha ai KOHËS.
Sipas tij, që kur familjarët dëgjuan për vrasjen e saj as që kanë dyshuar që dhëndëri mund të jetë i përfshirë në ndonjë formë.
“Jo që nuk dyshuam, por as nuk donim me dyshu, sepse nuk mendonim që një njeri me aq gjakftohtësi mund ta vrasë gruan e tij pas 13 viteve martesë”, ka thënë vëllai i Liridonës së ndjerë.
Familjarët e Liridonës kanë folur me të herën e fundit, ditën kur është vrarë.
“Nuk ka pasur asnjë shqetësim. Ajo ishte tek ne dhe ne pasi u nisë rrugës e thirrëm për shkak që prej Gjakovës në Prishtinë është bukur larg, 1 orë e diçka. E thirrëm, e pyetem qysh kalove rrugës, a shkove mirë. Tha: jam duke shkuar me ngrenë darkë”, ka treguar Leonardi.
Dy djemtë e Liridonës po qëndrojnë tek familja e Naim Murselit, e familjarët e të ndjerës nuk kanë pasur kontakt më me ta. Të dy kanë nënshtetësi vetëm suedeze.
Vëllai i Liridonës së ndjerë konfirmoi se e motra kishte sigurim jetësor në Suedi, e që në rast të vdekjes së saj paratë do t’i shkonin familjes, përkatësisht bashkëshortit të saj. Përfitimi i shumës së sigurimit jetësor, sipas tij, mund të jetë motivi për vrasjen.
“Motivi mund të jetë vetëm paraja ose diçka kështu”, ka thënë Leonardi. “Arsyeja mund të jetë e kësaj vlere monetare që e posedon me sigurim shëndetësor. Këtë e kemi arsye njëherë, por për me shumë Policia e kanë këtë punë dhe e dinë ata”.
Tridhjetëvjeçarja u vra katër ditë më parë. Policia në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës ka arrestuar bashkëshortin e saj, si personin që ka porositur dhe paguar për vrasjen e saj e më pas e ka inskenuar rastin si grabitje. Murseli, sipas Prokurorisë, ka paguar të dyshuarin Granit Plava, i cili e ka ekzekutuar viktimën. E për pjesëmarrje në vrasje është arrestuar edhe pjesëtari i FSK-së, Kushtrim Kokalla, që është familjar i Murselit.
@ballkani.info Babai i Liridonës dyshon se Naim Murseli organizoi vrasjen e saj për t’ia marrë paratë e sigurimit #naimmurseli #liridonamurseli #liridonaademaj #kosovopolice #prishtina #shqiperia #shqip ♬ original sound – Ballkani.info







