Vëllai i Ivanoviqit: Na interesojnë dëshmitë konkrete dhe prapavija politike

“Shpresoj që procesi gjyqësor që pason pas ngritjes së aktakuzave në Kosovë do të na çojë tek autorët ndërsa më vonë edhe tek urdhërdhënësit e vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, ka thënë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, Aleksandar Ivanoviq, vëllai i përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës, duke iu referuar informacioneve se autoritetet e Kosovës kanë ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave në rastin e Oliver Ivanoviqit.

“Është mirë që procedurat kanë lëvizur nga pika e vdekur, sepse gjatë procedurave gjyqësore do të kemi rastin të shohim se me çfarë provash akuzon prokurori. Pastaj, nga terreni politik dhe i deklaratave politike do të kalojmë në terrenin e paraqitjes së provave në gjykatë. Sigurisht se e vërteta për vrasjen e Ivanoviqit do të dihet vetëm atëherë kur të zhvillohet një proces i paanshëm gjyqësor”, thotë më tej Aleksandar Ivanoviqi.

Ai ka shtuar se për ngritjen e aktakuzave ka mësuar nga mediat, sikurse edhe për faktin se disa prej të dyshuarve janë në paraburgim.

Sipas tij, politizimi i rastit, dhe politizimi ka ardhur si nga Beogradi, ashtu edhe nga Prishtina, nga momenti i parë kanë qenë pengesa në hetim.

“Neve, deklarimet politike nga Beogradi e Prishtina s’na interesojnë. Na interesojnë dëshmitë konkrete dhe kush janë njerëzit që e kanë kryer atë vrasje. Para së gjithash na intereson prapavija politike dhe kush qëndron prapa tij. Kush e ka porositur atë vrasje. Kujt i ka penguar kaq shumë Olliveri që të organizojë gjithë ata njerëz, që e vranë prapa shpine me gjashtë plumba”, tha Ivanoviqi.

Olliver Ivanoviq, kryetar i iniciativës politike qytetare “Liri, demokraci, drejtësi”, u vra më 16 janar të vitit 2018 në veri të Mitrovicës para hyrjes së organizatës së tij politike.