Vëllai i deputetit të Vetëvendosjes mban të uzurpuar pronën e shtetit

Familjarë të deputeti të Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha tash e 21 vjet po e mbajnë të uzurpuar një pronë të Komunës së Gjakovës. Më konkretisht bëhet fjalë për pronën që ndodhet në rrugën “Ilir Soba”, nr 35.

Ndonëse për ndërtimin e shtëpisë së tyre familja Batusha ka leje për një pjesë tjetër të saj jo. Oborri, shkallët një pjesë e kulmit si dhe pjesa ku janë të vendosura rrethojat është pronë komunale.

Gazeta Insajderi ka siguruar pamjet e shtëpisë, parcelës. Pjesa e nënvizuar me ngjyrë verdhë i takon Komunës së Gjakovës dhe jo familjes së deputetit Batusha.

Fillimisht, Insajderi ka kontaktuar deputetin e Vetëvendosjes, Agon Batusha për ta pyetur në lidhje me pronën. I njëjti ka thënë se nuk është pronë e tij por e familjarëve.

“Nuk mund të them asgjë, ajo nuk është pronë e imja personale është e familjes time”, ka thënë shkurt ai.

Në anën tjetër se kjo pjesë e pronës është e uzurpuar e ka konfirmuar për Gazetën Insajderin vëllai i deputetit të Vetëvendosje, Andi.

Andi Batusha tha se shkallët dhe rrethojat janë vendosur përkohësisht. Sipas tij ato do të largohen.

“Nuk e di sa vlen tash fjala ime ama mundeni me pyet edhe në Kadastër hiç pa problem, por kjo pjesa e shtëpisë është me leje para 21 viteve është ndërtu. Ato rrethojat (gilinderat) ne kemi me i largu edhe një pjesë të shkallëve 1. 80 e atij rrethimi që është bërë atëherë se ka qenë e pabanueshme, me renovim ka me u hek edhe ajo pjesa e shkallëve ka me u bë taman hapësirë për trotuare ose çkado qoftë”, ka thënë Batusha.

Nga pamjet e siguruara shihet qartë se pjesë të shtëpisë së familjarëve të Agon Batushës, i takojnë shtetit.

I pyetur se kur do të largohen Batusha është shprehur se kur ta kërkojë Komuna.

“Përkohësisht janë të vendosur, që 21 vjet janë të vendosura qashtu (gilinderat), por tash kanë me u hek kur kërkohet. Ashtu-kështu unë nuk kam qare pa i hek edhe ajo pjesa e garazhdës ka me u pre”, tha vëllai i deputetit.

Gazeta Insajderi provuar të marrë një përgjigje zyrtare edhe nga drejtoritë përgjegjëse në Komunën e Gjakovës, por të njëjtit deri në publikimin e shkrimit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, Agon Batusha, deputeti i Vetëvendosjes ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsion. Batusha në kuadër të pasurisë së pa luajtshme ka deklaruar, shtëpi, banesë, dyqan e toka.

Prona këto që kapin vlerën e 200 mijë eurove. Për të gjitha këto prona Batusha ka deklaruar se i takojnë prindit të tij. Vetëm shtëpia, të cilën e kanë në Gjakovë kushton 70 mijë euro.