Veliu: VV kishte skenar të përgatitur për të dështuar raportimin tim

Tendencioze e skenar të përgatitur e kanë quajtur anëtarë të PDK-së dhe ministri Agim Veliu pamundësinë për të raportuar ky i fundit sot në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Kjo pasi koha e paraparë për raportim prej 45 minutash është kundërshtuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu pas ndërprerjes së komisionit tha se kanë pasur mundësi që ta caktojnë për një datë tjetër këtë mbledhje, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Mua mu duk tendencioze nga ana e LVV-së. Ata prej fillimit filluan për çështje që nuk janë të rëndësishme me diskutua. Unë me kohë i kam informuar komisionin se koha ime është e limituar për shkak të mbledhjes së qeverisë. Ata e kanë pasur mundësinë kjo ka ndodhur para dy ditësh, që të vendosin a ta mbajnë mbledhjen apo ta caktojnë një datë tjetër. Nuk me kane informuar asgjë, unë kam ardhur i gatshëm që të raportojë. Mirëpo këtu u pa tendenca që të pamundësohet raportimi sot”, ka thënë Veliu.

E, kryetarja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, tha se është hera e tretë që brenda dy javëve ministrat vijnë me një kohë të limituar.

Fatmire Mullhaxha Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se pas njoftimit të ministrit se ai nuk mund të qëndrojë më shumë se 45 minuta, kanë kërkuar që ai të vijë në ora 9:00, por sipas saj ministri ka thënë se ka kohë vetëm 45 minuta.

“Ne kemi kërkuar nga ai që të vie në orën 09:00, sepse ne kemi thënë që nuk mjafton koha, përsëri ka gjetur një arsyeje tjetër që nuk mundet në orën 09:00. Thjesht e ka caktuar vetëm 45 minuta. Unë nuk kam pasur mundësi si kryetare të marrë një vendim arbitrar, sepse tashmë çdo gjë ka qenë e kryer. Sepse disa deputetë kanë kërkuar që të vjen ministri, por neve na duhet një konsensus këtu. Unë kam kërkuar mendimin e deputetëve rreth asaj, sepse ne e dimë 45 minutëshi do të thotë monolog, raportimi i ministrit dhe pastaj nuk do të kishim mundësi të shtronim pyetje”, ka thënë ajo.

Sipas kryetares së komisionit, një gjë e tillë nuk guxon të ndodhë në komision, dhe se Veliu do të duhej të ndante kohë për të qëndruar më gjatë.

Ndërsa, anëtarja nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu tha se sot u pamundësua raportimi i ministrit si shkak i tendencave dhe skenarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Këta kanë një agjendë të caktuar e patë edhe dje në komision. Ne e lëshuam mbledhjen sepse iu pamundësua nënkryetarit të komisionit që ta hedh në votim propozimin e tij. Iu pamundësua kryetares fatkeqësisht nga anëtarët e partisë së vet dhe mua më vjen shumë keq që kryetarja e komisionit është në hall nga anëtarët e partisë së saj të cilët i ushtrojnë diktat dhe presion në udhëheqje të mbledhjes. E lutem disa herë që të procedojë dhe të vazhdojë, dhe e pati të pamundur që të vazhdojë mbledhja. Në një atmosferë të tillë ku parashihej të eskalonte situata, sepse nuk e di se sa e keni vërejt por fatkeqësisht këtu është bërë një rregull apo normë që futet kush do në sallë të mbledhjes, nuk i kontrollon askush. Nuk e di pse ka pasur nevojë të vijë sot ekstra persona shtesë të LVV-së. Dhe këtu parashihej një skenar tjetër i përgatitur. Mu më vjen mirë që e tejkaluam atë situatë në mënyrën më të qetë të mundshme”, shtoi ajo.

Ndër të tjera, Musliu tha se anëtarët e LVV-së nuk kishin problem kohën, por qëndrimet e Agim Veliut gjatë koalicionit bashkëqeverisës.