Veliu: S’futemi në koalicion me VV-në si të nënshtruar!

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se sa më parë duhet të definohet çështja e koalicionit mes LDK-së dhe VV-së.

“Ky qëndrim është konfirmuar në mbledhjen e fundit të kryesisë. Qëndrimi është i tillë dhe nuk ka ndryshuar diçka. Kemi menduar se është mirë që sa më shpejtë me përfundu në mënyrë që, në rast se ka rezultat pozitiv, me ecë, me pasë kohë subjektet politike me e kry punën siç duhet. Por, edhe në rast të ndonjë epilogu tjetër, VV-ja me pasë kohë të bisedojë me subjektet tjera”, ka thënë Veliu.

Nënkryetari i LDK-së ka theksuar se partia e tij nuk ka diçka kundër Glauk Konjufcës personalisht dhe se nuk e konteston personalitetin e tij, mirëpo në koalicion duan të hyjnë si të barabartë dhe jo të nënshtruar.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e konteston personalitetin e tij, mirëpo ne si LDK e kemi një ofertë tonën që mendojmë që është e drejtë dhe gatishmëria jonë nuk është me hy në koalicion si të dëmtuar apo të nënshtruar, por me hy në një koalicion të barabartë dhe të balancuar, ku lexohet drejt vota e qytetarit”, ka thënë Veliu për IndeksOnline.

Ndërsa pak çaste më parë, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga VV-ja, Arbërie Nagavci ka deklaruar se kërkesa për dorëheqjen e Glauk Konjufcës është e padrejtë dhe e papranueshme.

I mandatuari për kryeministër Albin Kurti, ka dy afate për ta bërë Qeverinë, afatin e vendosur nga LDK se deri të dielën duhet të dihet epilogu i marrëveshjes së mundshme LDK-VV dhe afati tjetër kushtetues që deri më 4 shkurt ta paraqes qeverinë për votim në Kuvend.