Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike sot ka shënuar Ditën Ndërkombëtare për Shërbyesit Civilë, me këtë rast ministri i Brendshëm, Agim Veliu tha se është në agjendë fillimin e zbatimit të pakos së re ligjore për administratë publike, i  cili do të hapë mundësi për reformë dhe gjithëpërfshirje në këtë sektor.

Veliu tutje tha se me aprovimin e tri ligjeve të kësaj pakoje do të ndryshohet rrënjësisht funksionimi në administratën publike, veçanërisht në shërbimin civil me procesin e ri të rekrutimit për të krijuar një system të ri të centralizuar për institucionet e administratës shtetërore.

“Ministria e Punëve të Brendshme në agjendën e saj ka fillimin e zbatimit të pakos së re ligjore në Administratën Publike, kërkesë kjo e shumëpritur nga nëpunësit civilë. Miratimi i pakos së re ligjore nga Kuvendi i Kosovës hapi një mundësi të re të gjithëpërfshirjes dhe reformës së administratës publike. Me aprovimin e tri ligjeve të kësaj pakoje do të ndryshohet rrënjësisht funksionimin në administratën publike, veçanërisht në shërbimin civil me procesin e ri të rekrutimit për të krijuar kështu një sistem të ri e të centralizuar për institucionet e administratës shtetërore”, tha Veliu.

Ai tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë hap vendimtar në përmbushjen e obligimeve nga Marrëveshja për Stabilizim-Asociim (MSA), ndërkohë që ka filluar edhe racionalizimi i agjencive të pavarura dhe zbatimi i përkrahjes buxhetore nga Komisioni Evropian për përkrahje për shërbyesit civilë.

Veliu tha se mungesa e rregullimit ligjor në fushën e pagave ka shfaqur sfida të shumta për nëpunësit civilë.

“Mungesa e rregullimit ligjor për fushën e pagave dhe zhvillimeve për shumë kategori në nivel vendi ka bërë që administratën publike ta përcjellin shumë sfida në veçanti institucionin përkatës të Departamentit të Administrimit të Shërbimit Civil si institucion përgjegjës për administrimin e politikës së pagave. Pa fajin e institucioneve përgjegjëse dhe të përkushtimit të nëpunësve civilë për shkak të proceseve politike dhe pezullimit të dy ligjeve nga Gjykata Kushtetuese, ka ndikuar në pamundësinë për të rregulluar organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës për të aprovuar shumë nga aktet ligjore që derivojnë nga këto ligje”, tha ministri Veliu.