Veliu kritikon ashpër Abdixhikun për deklaratat rreth stadiumit nacional

Një deklaratë e mbrëmshme e zyrtarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për zhvendosjen e ndërtimit të stadiumit nacional, nga qyteti i Drenasit, në atë të Prishtinës, ngjalli reagime të shumta

Disa e kritikuan, e disa të tjerë i dhanë mbështetje deklaratës së Abdixhikut.Abdixhiku këtë deklaratë e bazoi në një marrëveshje brenda LDK-së, duke dhënë zotime tjera për ndërtime të stadiumeve.

Por, një figurë më e lartë se ai brenda LDK-së, duket se nuk po i pëlqen deklarimi i Abdixhikut “krye në vete”.

Nënkryetari i parë i LDK-së, Agim Veliu, është kontaktuar nga Gazeta Blic, i cili është pyetur për deklaratat e Abdixhikut.Kryetari i Podujevës, i ka thënë gazetarit që për këtë pretendim të Abdixhikut, të pyetet vetë ai, duke thënë se LDK është më e madhe, sesa deklarimet ‘krye në vete të ndonjë zyrtari’.

Veliu ka thënë se në LDK, secili vendim duhet të merret në organe të partisë, duke thënë se të pyetet Abdixhiku se ‘kur janë marrë vesh e ku janë marrë vesh’ për zhvendosjen e stadiumit në Prishtinë.

“Pyete Abdixikun për këtë punë, nëse ai ka deklaru atëherë pyete atë se kur janë marrë vesh e ku janë marrë vesh, unë nuk kam qenë në atë marrëveshje, pyete Abdixhikun sepse LDK-ja është nj ë koncept më i gjerë, LDK-ja ka një kryesi e Këshill të përgjithshëm dhe Kuvend, dmth Abdixhiku le të tregon”, tha Veliu për Gazeta Blic.

Me ironi, Veliu nuk ka dashur të komentojë më shumë pretendimin e Abdixhikut, duke thënë se nuk “qenë në atë bisedë”, ku sipas tij “qenkan marrë vesh për zhvendosje të stadiumit”.

“Unë nuk kam qenë në atë bisedë dhe nuk mund të flas për këtë kur nuk kam qenë prezent. Pyete atë (Abdixhikun) dhe ai le të tregon”, përfundoi Veliu për Gazeta Blic.