Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është parë i shqetësuar në Kuvend, në momentin kur ka kuptuar se PDK-ja po e lëshon sallën, pasi nuk u votua propozimi i kësaj partie për nënkryetare të Kuvendit, Vlora Çitaku.
Në pamjet e siguruara nga Vox Kosova, Kurti shihet duke i thënë diçka kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës.
“Veç ndërroje”, dëgjohet t’i thotë Kurti Hamzës, duke lënë të kuptohet se po i kërkonte që të ndryshonte propozimin për nënkryetar.
Por, kjo nuk ndodhi.
Deputetët e PDK-së e kanë lëshuar sallën, ndërsa pas tyre, deri në korridor, kanë dalë edhe deputetë të Vetëvendosjes, në përpjekje për t’i bindur që të kthehen në sallë.
Në mesin e tyre ishte edhe Arbërie Nagavci, bashkë me deputetë të tjerë të VV-së, të cilët i kanë kërkuar PDK-së që të qëndrojë në sallë.
Por, deputetët e PDK-së nuk janë bindur dhe kanë vazhduar largimin.
PDK-ja më pas ka bërë të qartë se nuk do të kthehet në sallë.
Ndërkohë, deputetë të Vetëvendosjes janë shfaqur para mediave me propozime të tjera për nënkryetar nga radhët e PDK-së, duke treguar se cilin kandidat do ta votonin.
Pra, VV-ja jo vetëm që nuk po e voton kandidatin e propozuar nga PDK-ja, por tash po sugjeron edhe se kë duhet ta propozojë PDK-ja.







