Vdes një person pasi bie me veturë në lumin Ibër

Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur të hënën mbrëma në rrugën nacionale Leposaviq-Mitrovicë.

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mospërshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve atmosferike.

“Leposaviq 02.01.2023-22:15. Në rrugën nacionale Leposaviq-Mitrovicë, ka ndodhur një aksident trafiku në të cilën është përfshirë një veturë, e cila derisa ishte në lëvizje (drejtuesi i panjohur) dyshohet për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve atmosferike-mjegullës, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në lumin Ibër”, thuhet në raport.

Bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit, në kërkim të drejtuesit dhe veturës të cilët gjatë natës nuk kanë arritur ta gjejnë.

“Kërkimi ka vazhduar në orët e hershme të mëngjesit, ku është gjetur dhe nxjerr automjeti së bashku me vozitësin i cili ishte pa shenja jete. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori kompetent për të vazhduar me procedurat e mëtejme”, njofton policia.