Vdes këmbësorja që u godit nga vetura në Prizren

Policia në Prizren ka arrestuar një person i cili derisa ka qenë duke drejtuar automjetin e tij, nga pakujdesia ka goditur një këmbësore, e cila ka vdekur si pasojë e plagëve të shkaktuara nga aksidenti.

Rasti ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në rrugën “Brigada 125” në Prizren, ka bërë të ditur policia në raportin 24 orësh.

Viktima ka vdekur pasi është dërguar në spitalin rajonal të Prizrenit, ndërkaq vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërkaq i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Rr. Brigada 125, Prizren, 19.09.2021-21:26.  Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar , pasi që i njëjti duke drejtuar automjetin tij nga pakujdesia e ka goditur këmbësoren femër, e cila pasi dërgohet në spitalin rajonal të Prizrenit ka ndërruar jetë. Vdekje e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion ndërsa i dyshuari dërgohet në mbajtje. Rasti vazhdon të  hetohet”, bën të ditur policia.