Vdes ish-kryetari i Komunës së Rahovecit, Esat Haxhijaha

Ish-kryetari i Komunës së Rahovecit, Esat Haxhijaha ka vdekur. Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Sipas njoftimit për media, kontributi i kryetarit Haxhijaha është i dukshëm në proceset që ka kaluar Komuna e Rahovecit dhe me gjerë.

“Kujtojmë edhe kohën dhe kontributin e kryetarit Haxhijaha në forumet e Këshillit të Kryetarëve që në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës vënë bazat e para të qeverisjes lokale në Republikën e Kosovës pas zgjedhjeve të para pas luftës në Kosovë’, thuhet në njoftimin për media.

Veprën dhe kontributin e tij e ka vlerësuar edhe kryetari i tanishëm i Rahovecit, Smajl Latifi.

Sipas tij, Haxhijaha dha një kontribut të dukshëm për disa dekada në proceset edukative, politike, ekonomike dhe shoqërore.

“Ishte kryetar i Kuvendit të Komunës së Rahovecit që barti mbi supe përgjegjësi dhe kreu shumë detyra në shërbim të komunës e popullit të kësaj treve. Esat Haxhijaha në kujtesën tonë mbetet një njeri i mirë dhe me ndikim të madh në popull, i dashur, intelektual i çmuar, një shqiptar i mirë që i dha vendit dhe përpjekjes tonë për liri një kontribut të veçantë, për ç’gjë edhe u burgos nga Serbia”, ka thënë ai.

Sipas tij, ai do të mbahet gjatë në mend për kontributin e tij në zhvillimin dhe përparimin e komunës së Rahovecit, arsimimin dhe edukimin e brezave.