Vdes doktori i njohur nga Ferizaj

Ka ndërruar jetë Doktor Afrim Tasholli, lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu.

Në postimin e Aliut thuhet se shëndetësia e Ferizajt humbi njërin nga emrat më të spikatur e më të dashurin profesionist.

Tutje, ai ka shprehur ngushëllime familjes, kolegëve të tij, gjithë komunitetit shëndetësor e bashkëqytetarëve ferizajas.

Njoftimi i plotë i kryetarit:

Me dhembje të madhe e zemërthyer, mora lajmin për ndarjen nga jeta të profesionistit të rrallë, qytetarit shembullor, mikut tim të shtrenjtë, Dr. Afrim Tasholli.

Ferizaj është në zi, shëndetësia e Ferizajt humbi njërin nga emrat më të spikatur e më të dashurin profesionist.

Pa fjalë, i tronditur nga kjo ndarje e parakohshme nga jeta, i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Tasholli, kolegëve të tij, gjithë komunitetit shëndetësor e bashkëqytetarëve ferizajas.

Dritë pastë shpirti i tij!