Aksident

Vdekja e tre të rinjve në aksidentin tragjik, caktohet masa e paraburgimit për dy të dyshuarit

Gjykata Themelore në Prizren ua ka caktuar masën e paraburgimit dy personave që dyshohet se kryen veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.

Kjo vjen pas aksidentit të rëndë më 16 dhjetor në autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren, ku pas një gare të paligjshme me vetura, u goditën për vdekje tre persona.

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, ndaj të pandehurve A.S., dhe I.H., për shkak të dyshimit zë bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Rrezikimi i trafikut publik që ka rezultuar me vdekjen e një apo më shumë personave”.

Ngjarja, e cila ndodhi më 16 dhjetor në autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren, ku dyshohet të ketë përfunduar me një garë të paligjshme automobilistikë midis të pandehurve, të cilët udhëtonin paralelisht me shpejtësi shumë të madhe.” – thuhet tutje në njoftim.

A.S dyshohet se humbi kontrollën, dhe përveç vdekjes së tre personave, shkaktoi edhe lëndimin e tre të tjerëve.

Gjykata ka vlerësuar vazhdimin e hetimeve pa pengesa, dhe është marrë parasysh edhe rreziku i ndërhyrjes në dëshmi ose ndikimin tek të pandehurit e tjerë.

Gjithashtu është vlerësuar se rëndësia e veprës penale dhe pasojat e rënda që janë shkaktuar nga sjelljet e tyre justifikojnë këtë masë si të arsyeshme dhe të domosdoshme për të siguruar zbatimin e ligjit dhe ardhjen e të pandehurve para drejtësisë.