Vdekja e Agon Musliut, kjo është dëshmia e policit Arben Hajdaraj

Zyrtari i Policisë së Kosovës, Arben Hajdaraj ka dëshmuar sot në komisionin hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë, dhe konkretisht për rastin e të ndjerit Agon Musliu, i cili i ishte hedhur nga kati i katërt i Qendrës Studentore në Prishtinë që shërbente si karantinë.

Hajdaraj në dëshminë e tij ka treguar se i riu nga Gjilani ka qenë shumë i sjellshëm dhe se nuk ka shfaqur asnjë shenjë çrregullimi.

“Ne atë ditë kemi qenë për t’i përcjellë ata qytetarë që vijnë prej perëndimit. E kam marr një letër dhe kam shkuar tek zyrtari përgjegjës për listën se kush shkon në shtëpi dhe kush në karantinë. E kam shikuar letrën ku thuhej se djali (Agon Musliu) e ka kryer kontrollin dhe iu është dhënë udhëzimi për të shkuar në karantinë. I kam thënë këtë letër prindi yt ma ka dhënë për ta dhuruar ty. Ai ka thënë: ktheja letrën babait sepse jam në kontakt me të. Ja kam kthyer letrën, më falënderoi dhe kaq ka pasur”, ka treguar polici Hajdaraj, shkruan Reporteri.net.

Hajdaraj është përgjigjur se personi në fjalë ka qenë shumë i sjellshëm dhe se nuk ka parë ndonjë dyshim tek ai.

“Ka qenë shumë i qetë dhe s’kam parë ndonjë dyshim tek ai. Tha që kjo letër nuk me duhet sepse jam duke shkuar në karantinë. Tha mundësisht ktheja prindit se nuk më duhet. Ai e kishte kryer kontrollin mjekësor. Mjekët ia kanë shkruar që ai të shkojë në karantinë. Agoni tha unë jam vendosur të shkoj në karantinë dhe se kjo letër nuk më duhet, ktheja prindit”, ka treguar polici Haradinaj.