Vdekja e 16 vjeçares/ Babai fajëson QKUK-në, nisin hetimet

Një 16-vjeçare nga Komuna e Drenasit, ka ndërruar jetë të premten në QKUK, ajo ishte shtrirë para tre dite pasi sipas familjarëve kishte pasur dhimbje të forta barku dhe temeperaturë të lartë si pasojë e problemeve në Apandesit, apo siç njihet ndryshe “zorra qorre”.

Babai i të ndjerës Anita Ahmeti, ka akuzuar mjekët në Klinikën e Pediatrisë dhe ata të Klinikës së Kirurgjisë për neglizhevencë.

Rrahim Mehmeti, dje ka thënë se vajzën e ka dërguar në QKUK që tre ditë dhe për tre ditë me radhë thotë se është “shëtitur” nga Kirurgjia e Fëmijëve në Pediatri, pa e ndihmuar askush.

Pas akuzave, në një përgjigje QKUK ka bërë të ditur se kanë nisur hetimet për rastin e 16-vjeçares nga Fushtica e Drenasit.

“Rasti do të hulumtohet, ShSKUK ka formuar një komision në përbërje të tre klinikave”, thuhet në përgjigjen zyrtare të QKUK-së për Zërin në lidhje me rastin.

Sipas tyre, përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve të Klinikës Emergjente, pacientja nuk ka arritur të mbijetoi, meqë gjendja ka qenë e rënduar.

“Ekipet reanimatore të emergjencës kanë bërë maksimumin. Poashtu, rasti në fjalë ishte konsultuar dhe kontrolluar edhe nga pediatrit dhe kirurgët e fëmijëve, por duke qenë se gjendja ishte e rënduar, më pas ishte transferuar në emergjencë për masa reanimatore siç edhe ju shpjeguam’ kanë thënë nga QKUK-ja.

Sipas QKUK-së, mjekët kanë kërkuar të bëhet obduksioni, siç edhe kërkohet në raste të tilla, por familjarët nuk kanë pranuar të kryhet.