Menjëherë pas lajmit se Shqipëria u ballafaqua me një tërmet të fortë i cili shkatërroi shumë vendbanime, një mobilizim i jashtëzakonshëm erdhi nga të gjitha qytetet e Kosovës.

Shumica e ndihmave nga shumë vende në Kosovë u mblodhën në Prishtinë, pikërisht në sheshim “Zahir Pajaziti”.

Sheshi Prishtinës mblodhi njerëz të vullnetit të mirë, e të cilët edhe njëherë dëshmuan lidhjen e fortë që kanë me Shqipërinë dhe popullin shqiptar.

Pasi u kuptua për ngjarjen e dhimbshme që ndodhi të martën, ishin grupet e ndryshme që bën thirrje për ndihmë dhe kështu, u deshën vetëm disa minuta që qytetarët me qese në duar t’ia mësynë sheshit në Prishtinë.

Për pak orë u siguruan veshmbathje, pako ushqimore e të holla, për t’iu dalë në ndihmë të prekurve nga tërmeti në Shqipëri i cili morri jetë njerëzish e shkaktoi dëme të mëdha.

Solidarizimi i kosovarëve për t’i dalë në ndihmë të prekurve nga tërmeti po vazhdon.

Qindra kosovarë tashmë gjenden në Shqipëri duke i ndihmuar atyre, por ka edhe të atillë që kanë lëshuar shtëpitë e hotelet për ti akomoduar familjet, shtëpitë e të cilave shkatërroi tërmeti i shkallës 6.4 të riterit.