Vazhdon protesta, protestuesit vërshojnë rrugët derisa Gjermania debaton për Ligjin e izolimit

Qytetarët kanë vërshuar të mërkurën rrugët e kryeqytetit gjerman, Berlin, në shenjë proteste ndaj Ligjit të paraqitur në Parlament, i cili do t’i jepte Qeverisë federale kompetenca të zgjeruara për zbatimin e izolimeve në zonat me bilanc të lartë të infeksioneve me koronavirus.

Masa ka për synim frenimin e valës së tretë të pandemisë në Gjermani. Vendimi i kancelares Angela Merkel, për ligjin e ri është përballur me kritika, pasi që po konsiderohet si kufizim i lirisë personale.

Sipas masave të reja, ora policore do të zbatohet nga ora 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit, ndërkaq do të kufizohen edhe tubimet private, aktivitetet sportive dhe hapja e dyqaneve. Shkollat do të mbyllen, ndërsa nxënësit do t’i kthehen mësimit online, në të gjitha rajonet ku evidentohen më shumë se 165 raste me koronavirus në 100 mijë banorë.

Si pasojë e kësaj, me qindra persona, disa edhe pa maska, janë mbledhur që nga mëngjesi para Parlamentit, duke valuar flamuj dhe pankarta me shkrimet “Paqe” dhe “Demokraci”. Automjetet policore janë vendosur përreth rrugëve, ndërsa policët kanë vëzhguar situatën. Protestat tashmë janë shtrirë nëpër tërë vendin, për disa javë radhazi.

Gjermania, ndërkaq, të mërkurën ka arritur shifrën prej 3.19 milionë të infektuarve me koronavirus, kurse deri më tani nga COVID-19 kanë vdekur 80 mijë e 634 pacientë.