Vazhdon protesta masive në Beograd, merr pjesë edhe Opozita e Bashkuar

“Protesta kundër dhunës së regjimit filloi sonte në orën 18:00 në Sheshin e Republikës, e organizuar nga Lëvizja ‘Të mos e mbysim Beogradin’, Kryengritja Mjedisore dhe Platforma e Hapur “Aksioni”. Të pranishëm janë disa policë me uniformë dhe mijëra qytetarë”, transmeton e përditshmja serbe Danas.

Protesta u organizua si reagim ndaj dhunës së djeshme (të 27 nëntorit) të drejtuar ndaj qytetarëve serbë të cilët dje bllokuan qarkullimin nëpër Serbi.

Protesta e së dielës është duke u përkrahur edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Zoran Lutovac.

“Ne jemi gjithmonë aty ku mbrohet interesi publik. Ne nuk na intereson kush na fton, kush është organizator, na intereson vetëm të mbrojmë interesin publik. Ne jemi këtu për të solidarizuar me të gjithë ata që janë viktima të këtij regjimi”, tha Lutovac.

Dobrica Veselinoviç nga Lëvizja “Të mos e mbysim Beogradin”, ka thënë për Danas se pas dhunës së djeshme kur huliganë të maskuar i sulmuan me eskavator qytetarët e mbledhur në Shabac, sot janë mbledhur në Beograd për t’u treguar njerëzve se çfarë ka ndodhur realisht në Shabac.

“Ne jemi këtu që njerëzit të kuptojnë se Partia Progresive Serbe ka keqpërdorur shtetin për t’u mundësuar huliganëve të bëjnë çfarë të duan. Disa persona të tjerë janë ndaluar në Sabac dhe ne do t’i ndihmojmë në çdo mënyrë. Kërkojmë të lirohen dhe të arrestohen ata që janë realisht huliganë”, tha Veselinoviq

Ajo deklaroi se do të mbështesë bllokadën e radhës të së shtunës, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që edhe nesër të protestojnë në Loznicë.