perplasje

Sveçlës prokurorisë: Nëse nuk e dini se Krivaqa ka 135 raste në polici, çfarë dini

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vazhdon të theksojë se i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares, Dardan Krivaqa, ka 135 raste të veprave penale në Policinë e Kosovës. Ai thotë se nëse këtë nuk e dinë prokuororët dhe gjykatësit atëherë çfarë dinë ata. Sveçla thotë se nëse gjykatësit e prokurorët nuk kanë qasje në databazën e policisë, ai vetë mund t’ua dërgojë atë.

Reagimi i ministrit Sveçla vjen pasi Gjykata Themelore në Ferizaj përmes një njoftimi për media ka mohuar deklaratën e Sveçlës se i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares, Dardan Krivaqa ka 136 raste penale. Sipas gjykatës, Krivaqa ka të evidentuara gjithsej dhjetë lëndë, prej tyre nëntë të përfunduara, ndërsa vetëm një është e papërfunduar.

Gjatë ditës, Prokuroria Themelore e Ferizajt ka theksuar se deklaratat e Sveçlës janë të paqëndrueshme, “shfaqin mosnjohuri elementare profesionale, janë krejtësisht tendencioze dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit për përfitime politike”.

Reagimi i plotë i Xhelal Sveçlës:


Pushtetet në Kosovë i kemi të ndara, por krimin duhet ta luftojmë së bashku, kështu e kërkon ligji. Praktika e fshehjes prapa veprave kriminale, e parashkrimi me qëllim i lëndëve kriminale ‘për miqtë’ dhe ‘të fortët’, si dhe hedhja e fajit tek tjetri duhet të marrë fund.

Në dosjen zyrtare të Policisë së Kosovës, krimineli Dardan Krivaqa figuron se është i akuzuar për 135 vepra penale, ku përveç vrasjes makabre, ai akuzohej edhe për shumë vepra të tjera përfshi përdhunim, zhvatje, mashtrim, kanosje, grabitje, sulm fizik, vjedhje, therrje me thikë të zyrtarit policor…lista është e gjatë, dhe nëse për këtë nuk dinë prokurorët dhe gjykatësit, atëherë çfarë dinë ata? Apo, ata dinë që këtë kriminel recidivist ta akuzojnë dhe shpërblejnë me dënim me kusht – punë në dobi të komunitetit!

Në anën tjetër, mijëra lëndë të pazgjidhura qëndrojnë me vite të tëra nëpër prokurori e gjykata si rezultat i dështimit të sistemit të drejtësisë për t’i trajtuar ato dhe për të vendosur drejtësinë për qindra e mijëra qytetarë anë e mbanë Kosovës.

P.S. Në qoftë se prokuroria dhe gjykatat nuk kanë qasje në databazën e Policisë së Kosovës, ua dërgoj unë listën!