Vazhdon përplasja, Bullgaria i dëbon edhe një diplomat Rusisë

Bullgaria të enjten njoftoi për dëbimin e një diplomati rus, pasi prokurorët thanë se dyshojnë për përfshirjen e Rusisë në katër shpërthime në depo të armëve në Bullgari.

Gjatë një takimi me ambasadorin rus, kryediplomatja bullgare, Ekaterina Zaharieva, kërkoi bashkëpunim të plotë nga Rusia në hetimet e Bullgarisë për shpërthimet dhe përpjekjet për helmimin e tregtarit bullgar të armëve, Emilian Gebrev.

Sidoqoftë, Moska i ka kundërshtuar këto hetime dhe tha se do t’i kundërpërgjigjet dëbimit të diplomatit të saj, shkruan Reuters.

Vendimi më i ri i Bullgarisë vjen pas një vargu përleshjesh diplomatike mes Rusisë dhe disa shteteve evropiane pas akuzave të Çekisë se Rusia qëndron prapa një shpërthimi në një depo armësh më 2014.

Bullgaria, dikur aleatja më e ngushtë e Bashkimit Sovjetik, ka dëbuar tetë diplomatë rusë nën dyshimet për spiunazh nga tetori i vitit 2019.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Zaharieva, tha se Sofia e rezervon të drejtën për të marrë masa shtesë dhe kërkoi që diplomatët rusë të përmbahen nga veprimet që nuk janë në përputhje me statusin e tyre.