Vazhdon misteri, a u gjetën mostrat e Astrit Deharit?

Institucionet kanë zgjedhur të heshtin lidhur me raportimet se janë gjetur një pjesë e mostrave të Astrit Deharit. Për zhdukjen e tyre pati njoftuar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, më 8 dhjetor të vitit të kaluar. Tash e njëjta s’po deklarohet nëse janë gjetur apo jo. Heshtjen e kanë zgjedhur edhe Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj dhe prokurori i rastit, Afrim Shefkiu.

Vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit, në qendrën e paraburgimit në Prizren, vazhdon të mbetet ndër rastet më misterioze. Ky rast nuk është zbardhur as pas gjashtë vjetësh, madje është komplikuar edhe më shumë me zhdukjen e mostrave të tij nga Laboratori i Toksikologjisë, që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Zhdukjen e mostrave të Deharit e kumtoi Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, më 8 dhjetor të vitit 2021.

Në atë konferencë, Haxhiu kishte deklaruar se në atë hapësirë të IML-së ku ruheshin mostrat kishin qasje vetëm tre persona. Ishte zotuar se autorët që kanë zhdukur mostrat nga laboratori i IML-së, do të gjinden dhe se rasti do të zbardhet.

“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe 1 epruvetë e lukthit. Nga këto dy epruveta ia kanë dhënë Institutit Zviceran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, 1 e urinës dhe 1 e lukthit. Në vendin ku rrinë epruvetat kanë qasje vetëm 3 persona, pra vetëm 3 persona i kanë çelësat ku ruhen mostrat”, kishte thënë Haxhiu.

Por, tash e njëjta po heshtë lidhur me raportimet e mediave se janë gjetur një pjesë e këtyre mostrave. Mbrëmjen e së premtes, dy mediume raportuan duke u thirrur në burime brenda IML-së, se janë mostrat e lukthit dhe të urinës.

Sipas këtyre raportimeve, mostrat janë gjetur në objektin e IML-së dhe janë kthyer ku kanë qenë më herët.

Gazeta Express i ka dërguar pyetje Haxhiut dhe Ministrisë që ajo drejton për të konfirmuar këto raportime, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje.

Për këtë rast ka refuzuar të deklarohet edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Të shtunën ai shkurtimisht i ka thënë Gazetës Express se s’mund të flasë lidhur me raportimet e mediave.

Kurti: Ministria e Drejtësisë duhet ta jap përgjigjen

As kryeministri Albin Kurti s’ka pranuar të flasë nëse janë gjetur mostrat apo jo.

Ai tha se përgjigjen duhet ta jap Ministria e Drejtësisë.

“Më besoni, Ministria e Drejtësisë duhet ta jap përgjigjen adekuate për këtë”, ka thënë shkurtimisht Kurti.

Xhemile Dehari: Mostrat e Astritit i paska pasur prokurori Afrim Shefkiu

Nëna e Astritit, Xhemile Dehari, ka drejtuar akuza në drejtim të prokurorit të rastit, Afrim Shefkiut.

Sipas saj, mostrat i ka pasur vetë Shefkiu.

“Po pse po na thirrni neve, thirrne Afrim Shefkiun, ai i paska marr, ai i paska pru, thirrne prokurorin ai e din se ku i ka pas. Na as s’i kemi hup as s’i kemi çu. Ai i paska pas vet i paska pru”, tha Xhemile Dehari.

“Dihet qartë kush ka hyrë te frigoriferi dhe ka zhdukur mostrat”

Prokuroria Speciale ka deklaruar më 15 shkurt se s’ka ende asnjë të dyshuar lidhur me rastin e zhdukjes së mostrave.

Por një ditë më pas, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, doli në konferencë dhe tha se dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi dhe ka nxjerrë e zhdukur mostrat, duke përmendur edhe disa video-incizime.

“IML është i monitoruar 24 orë prej kamerave dihet qartë se kush ka hyrë tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat e tjera dhe janë zhdukur”, tha Abazi.

Ai kërkoi që për këtë rast të intervistohen edhe Kryeministri Albin Kurti, Ministrja Albulena Haxhiu, Dejona Mihali, Nazlie Balaj dhe Flora Bogaj Bajrami.

Për këto deklarata, Prokuroria Speciale e ftoi për intervistim Abazin.

Pas intervistimit, Abazi doli para gazetarëve, por s’foli shumë. Nuk tregoi as nëse ka dorëzuar ndonjë provë lidhur me rastin.

“Ashtu siç kam marr ftesë nga prokuroria, unë i jam përgjigjur. Prokuroria ka shtruar pyetjet e veta, ka qenë jashtëzakonisht korrekt në procesin e intervistimit si dëshmitar. Të gjitha pjesët e tjera janë absolutisht pjesë e Prokurorisë, ashtu siç e kam bërë deklaratën në hollin e Kuvendit. Është çështje e prokurorisë të merret me këtë cështje dhe të realizojë drejtësinë”, tha deputeti i VV-së.

Deklaratat e Abazit i kishte komentuar edhe kryeministri Albin Kurti.

“Ato nuk janë të vërteta e dhe nuk janë të sakta. Për këtë është përgjigjur ministrja jonë e Drejtësisë. LVV është subjekti më i madh dhe më demokratik. Unë nuk mund të mbajë përgjegjësi për fjalën publike të dikujt”, deklaroi Kurti.

Për akuzat e Abazit ishte deklaruar edhe Ministria e Drejtësisë, atë ditë.

Nga MD kishin thënë se është e “papranueshme tendenca e deputetit për të keqpërdorur këtë rast për qëllime të ulta”.

“Sapo jemi njoftuar lidhur me deklaratat e tilla, kemi njoftuar kryeprokurorin e shtetit. Ky rast është shumë i ndjeshëm sikurse edhe ka vëmendjen e opinionit publik. Ministrja Haxhiu ka dhënë dëshminë e saj para institucioneve të drejtësisë. Dëshmitari i radhës është deputeti Abazi. E ka përgjegjësinë ligjore që të flas për secilin pretendim. Urojmë që të mos tentojë të fshihet prapa imunitetit prej deputeti. Ne e konsiderojmë të papranueshëm tendencën e tij për të keqpërdorur këtë rast për qëllime të ulta”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Kur u panë për herë të fundit mostrat e Deharit?

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, kishte ngritur dyshime se mostrat mund të jenë zhdukur edhe para dhjetorit.

Sallahu tha se hera e fundit kur epruvetat e Deharit janë parë është 8 tetori i vitit 2021.

“Në laborator gjinden mbi 2 mijë mostra/epruveta të njerëzve të caktuar. Të gjitha janë në një vend të ruajtura. Tash ato epruveta, në momentin që bëhen analiza, arkivohen edhe të njejtën gjë, kur janë bë analizat e Astrit Deharit në tetor të vitit 2021, janë arkivu, pra janë vu në epruveta, sikur të personave të tjerë. Pastaj ne jemi lajmëru më 7 dhjetor 2022 nga Drejtoresha që kanë humbur mostrat…sepse janë bartur prej atij frigoriferi në frigoriferin të ri që është blerë dhe aty është vërejt që mungojnë. Mundet me qenë që edhe ditën e njejtë kanë humbë, nuk e përjashtoj këtë mundësi, por herën e fundit, sipas informacioneve që kemi, herën e fundit që janë parë epruvetat e Astrit Deharit është 8 tetori 2021, saktë është kjo, kur janë pa me sy nga njerëz përgjegjës të institutit”, kishte thënë Sallahu mbrëmë në RTV Dukagjini.

Të suspenduarit për zhdukjen e mostrave u kthyen në punë

Për këtë rast, Ministria e Drejtësisë kishte pezulluar nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ata që u pezulluan ishin Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor, Flutura Goga, udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë, Anila Lakna, teknike e Laboratorit të Toksikologjisë dhe Ilirjana Shala, kimiste në këtë Institut.

Të njëjtit janë kthyer sërish në punë, me një vendim të Komisionit të Ankesave brenda IML-së.

Ndërsa dorëheqje dha zëvendësdrejtori i IML-së, Naim Uka. Uka i kishte thënë Gazetës Express se dorëheqja ishte morale.

“Kam dhënë dorëheqje morale dhe të parevokueshme nga pozita e zv. Drejtorit te IML-së”, kishte deklaruar Uka.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, që po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, kishte vdekur në rrethana ende të pasqaruara në nëntor të vitit 2016.

I ndjeri se bashku me pesë aktivistë të tjerë të LVV-së, po hetohej nën dyshimin se kishin planifikuar dhe organizuar sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me datën 4 gusht 2016.

Të njëjtit janë liruar nga akuza më 27 dhjetor të vitit të kaluar.